Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka përkujtuar 25 – vjetorin e masakrës në Rezallë të Skenderajt.
“Nga 5 prilli i vitit 1999 janë 98 familje që çdo ditë ndiejnë mungesën e tyre, e padyshim kjo masakër si dhe shumë të tjera, mbetet e pashlyer në memorien tonë kolektive të gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri është shprehur se tre të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e gjallë e tmerrit të përjetuar, e njëkohësisht e forcës që populli ynë ka për t’u ringritur.
“Kthimi i trupave të të pagjeturve është misioni ynë, e mos përsëritja e krimeve të tilla kundër njerëzimit është detyrë e çdo shteti proevropian që beson në vlera të demokracisë, në sovranitet të shteteve e në liri të njeriut”, ka shkruar tutje ministri i Mbrojtjes.
Ai ka shtuar se në përvjetore të tilla kujtojmë rëndësinë e paqes dhe boshllëkun që le mungesa e saj. “Lavdi gjithë martirëve!”.
Këtë 25 – vjetor e kanë përkujtuar edhe krerët e shtetit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.