Lajme

25 mijë euro për përfundimin e lëndës për bartjen e pronësisë, arrestohen zyrtarët komunal të Graçanicës

12/26/2024 21:06
nga:G C

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njofton se ka pranuar informatën ku dyshohej se disa zyrtar të Komunës së Graçanicës, më saktësisht zyrtarë nga Drejtoria e Kadastrit dhe Pronës janë përfshirë në veprat penale të “Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare” dhe “Marrje e Ryshfetit”.

Zyrtarë të caktuar dyshohet se kishin kërkuar nga një qytetar mjete monetare në vlerë prej 25,000.00 euro për përfundimin e një lënde në lidhje me bartjen e pronësisë, njofton policia.

“Pas marrjes se këtij informacioni hetuesit e krimeve ekonomike dhe korrupsionit nga Policia e Kosovës kanë aplikuar masat e veçanta me ç ‘rast më dt. 26.12.2024, gjatë një operacioni taktik kanë arrestuar në flagrancë dy të dyshuar me iniciale (V.S dhe Z.M) duke pranuar mjetet monetare në vlerën e cekur me lartë me qëllim të përfundimit të lëndës. Ndërsa, tre të dyshuarit tjerë dyshohet që në bashkëveprim kanë kryere veprat penale të cekura më lartë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Pas arrestimit të të dyshuarave, janë kryer bastisje në tri lokacione të ndara ku janë sekuestruar edhe dëshmitë në vijim:

“Në shtëpinë e të dyshuarit me inicilae (V.S.) janë sekuestruar 5,000.00€ (pesëmijë euro) para të gatshme;

Në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale (D.F.) janë sekuestruar 2,000.00€ (dymijë euro) para të gatshme;

Po ashtu janë sekuestruar: 7 (shtatë) telefona mobil personal, pronë e të dyshuarve të cilët do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm”.

Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve të tyre mbrojtës, të cilëve Prokurori i lëndës; dy prej tyre (V.S dhe Z.M ), ju ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa tre personat tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

“Të gjitha veprimet hetimore janë kryer në bashkëveprim dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Prokurorisë themelore në Prishtinë”, përfundon njoftimi.