Cult

24 vjet nga vdekja e Lady Dianës

08/31/2021 11:16
nga:G C

Më 31 gusht 1997, Diana, Princesha e Uellsit, vdiq në spitalin Pitie-Salpetiere të Parisit pas dëmtimeve të rënda të marra në kraharor, nga një aksident me makinë.

Shoqëruesi i saj, Dodi Al Fayed, vdiq menjëherë në përplasjen e orës 12:25 të mëngjesit. Shoferi Henri Paul ishte i dehur dhe humbi kontrollin e Mercedesit në një tunel. Ai po udhëtonte me shpejtësi të madhe në përpjekje për të shpëtuar nga fotografët paparac. Badigardi i Dianës, Trevor Rees Jones, shpëtoi me dëmtime të rënda. Ai ishte i vetmi që kishte vënë rripin e sigurimit.

Derisa sot bëhen 24 vjet nga vdekja e Dianës, apo siç njihej “Princesha e popullit”, ajo vazhdon të admirohet dhe të ngjallë kureshtje të madhe edhe në ditët tona. Vdekja e saj është rrethuar me mister e teori konspirative.Tani, ish-sekretari i saj privat i sigurisë, Patrick Jephson, ka rrëfyer se Lady Diana ishte e frikësuar për jetën, dhe për këtë arsye, mbante një frigorifer të mbushur me rezervat e veta të gjakut.

Ajo, sipas tij, druhej se do të sulmohej, ndaj i mbante rezervat me vete. ”Perveç kesaj, secili prej nesh ishte testuar, kështu që mjekët e dinin se kush mund t’i jepte gjak nëse ajo do kishte nevojë”, është shprehur Jephson.

Diana Frances Spencer lindi më 1 korrik të vitit 1961 në Park House, shtëpinë që prindërit e saj e kishin marrë me qera, në pronën e Mbretëreshës Elizabetë II, në Sandringham, Angli. Në fëmijërinë e saj, kishte shoqëri me Princin Andrew dhe Princin Eduard, djemtë më të vegjël të Mbretëreshës Elizabetë. Kur babai i saj trashëgoi titullin Earl of Spencer, në vitin 1975, Diana u njoh si Lady Diana Spencer. Pasi mbaroi shkollën, Lady Diana u bë mësuese në kopësht në një shkollë në periferi të Londrës.