Lajme

24 vjet nga Masakra e Reçakut, Abdixhiku: Akti më tronditës i Serbisë ndaj Kosovës, përbashkimi ynë për atdheun është domosdoshmëri

01/15/2023 11:55
nga:G C

Sot shënohet 24-vjetori i masakrës së Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptarë. Homazhe atje ka bërë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, raporton GazetaBlic.

Abdixhiku përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, masakra e Reçakut është një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

“Sot, teksa po largohemi pothuajse një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”, shkruan tutje ai.

Shkrimi i plotë:

24 vjet nga Masakra e Reçakut, ditës kur 45 civil shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e të moshuar, u vranë e u masakruan nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë.

Mëngjesi i hershëm i 15 janarit të vitit 1999, mban një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Aq tronditës ishte ky akt – krim kundër njerëzimit do ta quante ambasadori ëalker atëherë – sa që i njëjti u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës dhe angazhimit tonë për jetë të lirë.

Sot, teksa po largohemi pothuajse një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri.