Lajme

24-shi i LVV-së, Hysen Durmishi paralajmëron: Më 24 dhjetor, në ora 16:00, ndriçohet ura e re në Mitrovicë

12/23/2025 12:43
nga:Sh R
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kanë publikuar një video nga ura e re për këmbësorë në Mitrovicë, e ndërtuar mbi lumin Ibër. Në postimin e tij, Peci ka vlerësuar lart punën dhe angazhimin e Durmishit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë si të jashtëzakonshëm.

Ai ka përmendur disa projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugës Prishtinë–Mitrovicë, si dhe urat që lidhin qytetin e Mitrovicës, duke theksuar ndikimin pozitiv të tyre për qytetarët.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili është edhe kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe garon me numrin 24 në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka dhënë lajmin se më datë 24 dhjetor, me fillim nga ora 16:00, do të ndizet ndriçimi i urës së re për këmbësorë, e cila sapo ka përfunduar.

Durmishi ka ftuar qytetarët e Mitrovicës që të marrin pjesë dhe ta shijojnë këtë moment të veçantë, duke e cilësuar urën si një “perlë” të ndërtuar mbi lumin Ibër.