Sot u bën 23 vjet nga Beteja e Koshares.
Kjo betejë është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket të UÇK-së.
Beteja u zhvillua më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta” me brigadën 138 në krye të së cilës ishte Agim Ramadani.
Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses.
Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.
Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që shënoi një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht mundësoi furnizimin e luftës me armatim dhe municion.
Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.


