Sporti

Gati dy dekada pa e fituar Kupën e Italisë, Milani kërkon trofeun pas 19 vitesh

04/19/2022 12:21
nga:Mergim Rreci

Një tjetër derbi i jashtëzakonshëm mes Interit dhe Milanit vjen sonte në futbollin italian.

Derbi i Madonninës zhvendoset në Kupën e Italisë, atje ku Interi dhe Milani duelojnë për një ‘biletë’ që siguron finalen e madhe, shkruan GazetaBlic Sport.

Ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultat 0 me 0, me ndeshjen e dytë që do të vendosë gjithçka për fatin e finalistit.

Në vetëm 73 ditë këto dy skuadra janë ndeshur si në kupë ashtu edhe në kampionat, sidoqoftë vlen të theksohet fakti që kuqezinjtë janë të pamposhtur në këtë sezon në përballjet mes tyre.

Ndryshe nga krerët e UEFA-s drejtuesit e futbollit italian nuk e kanë zhvlerësuar akoma rregullin e golave të shënuar jashtë fushe, prandaj ekipi i Milanit ka favorin për t’u kualifikuar për në finale me çfarëdo lloj barazimi me gola.

“Rossonerët” nuk e kanë fituar Kupën e Italisë që nga viti 2003, që do të thotë për 19 vite radhazi, dhe ky mund të jetë viti kur pothuajse pas dy dekadash të fitohet ky trofe.

/GazetaBlic Sport/