Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, në kuadër të aktiviteteve të rregullta operative, gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar gjithsej 220 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Sipas policisë, nga ky numër 50 gjoba janë evidentuar përmes veturave të pajisura me teknologji inteligjente, të cilat kanë regjistruar shkelje si drejtimi i automjetit me regjistrim të skaduar dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar.
Si rezultat i këtyre veprimeve, 35 shoferëve u është sekuestruar patentë-shoferi, ndërsa gjobat e shqiptuara do t’u dërgohen kundërvajtësve përmes postës.
Nga Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit u është bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë.


