Gjykata Themelorë në Prishtinë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar më 22 vite e 10 muaj burgim dhe 26 mijë euro gjobë nëntë të akuzuarit për import dhe eksport të armëve, ndërsa 3 nga ta janë liruar nga akuza.
Aktgjykimi për këtë çështje është bërë të enjten, nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini
Në këtë rast, Albert Fazliu, Advan Sopa, Perparim Fazliu, Arben Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Falziu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Xhevahir Suma, Kreshnik Sefedini dhe Drilon Fazliu, akuzoheshin për krim të organizuar lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas gjykatëses Çerkini, trupi gjykues gjatë seancës për këshillim dhe votim lidhur me këtë çështje, ka konstatuar se në veprimet e të akuzuarve nuk kanë ekzistuar elementet e veprës penale të krimit të organizuar.
“Ky trup gjykues gjatë seancës për këshillim dhe votim lidhur me nxjerrjen e vendimit meritor për të akuzuarit, ka konstatuar se në veprimet inkriminuese të të akuzuarve nuk janë gjetur elementet e figurës së veprës penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1, andaj ka bërë ricilsimin e veprës, me veprën penale bazë që është importi, eksporti e të tjera nga neni 364 paragrafi 2”, tha gjykatësja Çerkini.
Tutje, sipas aktgjykimit, në mungesë të provave nga akuza janë liruar Gazmend Fazliu, Isa Rexhepi dhe Ragip Mehmeti.
Ndërkaq, është refuzuar akuza ndaj Petrit Morinës, pasi që për të njëjtin prokurorja nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Merita Bina-Rugova, kishte hequr dorë nga akuza.
Në anën tjetër, Albert Fazliu është dënuar më 4 vite e 10 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë, Advan Sopa është dënuar më 2 vite e 6 muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë.
Tutje, sipas këtij aktgjykimi, Milaim Shabani është dënuar më 1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë dhe Drilon Fazliu është dënuar më 2 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Më nga 1 vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë janë dënuar Xhevahir Suma dhe Kreshnik Sefedini, ndërkaq, Perparim Fazliu, Arben Fazliu dhe Petrit Fazliu, secili veç e veç janë dënuar me nga 3 vite e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Gjykatësja Çerkini tha se të gjithë të lartcekurve të dënuar koha e kaluar në paraburgim do të ju llogaritet në dënimin e shqiptuar.
Po ashtu, të njëjtit janë të obliguar të paguajnë shpenzimet procedurale dhe atë secili veç e veç nga 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Ndërsa, për Gazmend Fazliun, Isa Rexhepin, Ragip Mehmetin dhe Petrit Morinën shpenzimet procedurale bien në barrën e gjykatës.
Gjykatësja Çerkini konstatoi se janë konfiskuar të gjitha mjetet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale.
Ndryshe, në këtë rast akuzohen edhe Nuhi Mazreku, Shefki Hyseni dhe Fadile Iseni, për të cilët është veçuar procedura në seancat e kaluara.
Sipas aktakuzës, Albert Fazliu, Advan Sopa, Perparim Fazliu, Arben Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Falziu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku, Petrit Morina, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Mentor Fazliu, Xhevahir Suma, Shefki Hyseni, Fadile Iseni, Kreshnik Sefedini, dhe Drilon Fazliu akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Ndryshe, në këtë çështje të akuzuarit për armëmbajtje pa leje janë Arben Hoxha, Kadri Pantina, Kreshnik Demaku dhe Besim Javori, kanë pranuar fajësinë dhe ndaj tyre gjykata ka shpallur aktgjykim.
Po ashtu, në këtë rast të akuzuar për armëmbajtje pa leje kanë qenë edhe Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Sami Kelmendi por që ndaj tyre ishte veçuar procedura dhe ndaj tyre gjykata ka shpallur një aktgjykim.
Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Edon Bytyqi, por në fazat e mëhershme ishte veçuar procedura nga gjykatësja Albina Shabani-Rama pas pranimit të njoftimit nga Stacioni Policor në Suharekë, sipas të cilit ai ndodhej jashtë vendit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 10 dhjetor 2019, ndaj 20 të akuzuarve për disa vepra penale.
Sipas aktakuzës Albert Fazliu, Advan Sopa, Përparim Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Fazliu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku dhe Petrit Morina, gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri më 24 korrik 2019, në Prishtinë dhe vende të tjera, duke vepruar si grup i organizuar kriminal si bashkim i strukturuar me dashje dhe qellim që të kryejnë veprën penale kanë vepruar në kundërshtim me ligjin mbi armët, duke importuar armë dhe municion.
I pandehuri Kimran Ibishev thuhet se nga Republika e Maqedonisë Veriore kishte siguruar furnizimin me armë dhe municion për të pandehurin Albert Fazliu dhe Milaim Shabani, përmes ndërmjetësuesit Advan Sopa, i cili kishte transportuar armët me veturën e tipit “Golf 5”, ku më pas të akuzuarit në bashkëpunim me njëri tjetrin këto armë i kishin dërguar në punëtorinë e tyre në Prishtinë dhe kishin bërë modifikimin e armëve nga armë me gaz në armë të llojit tjetër, ku më pas i kishin shitur te persona të ndryshëm, derisa nga masat e fshehta ishin gjetur armët nga ana e policisë.
Në bazë të kësaj aktakuzë, thuhet se më pas policia gjatë kontrollit që kishte bërë në shtëpitë e të pandehurve Fazliu në lagjen “Kodra e Trimave”, kishte gjetur dhe konfiskuar 10 pistoleta të armëve me gaz, vegla pune, pastrues të armëve, ndërsa të groposura nën oborrin e shtëpisë së të pandehurit Albert Fazliu kishin gjetur edhe 25 pistoleta, armë me gaz.
Ndërsa, Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Edon Bytyqi, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Sami Kelmendi akuzohen për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që në shtëpitë e tyre secilit veç e veç, u ishin gjetur armë dhe fishekë të ndryshëm pa leje nga ana e Policisë së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


