Lajme

Drejtori i Policisë ende s’e ka dërguar në Speciale garancinë për krerët e UÇK’së

10/21/2021 20:21
nga:M K

Kaluan 8 ditë prej kur urdhri i gjykatësit në Dhomat e Specializuara, i është dërguar Drejtorit të Policisë së Kosovës. Por ky i fundit ende nuk ka kthyer përgjigje.

Drejtori Samedin Mehmeti duhet të sqarojë kapacitetet e policisë për të garantuar në rast se për ndonjë nga të akuzuarit, vendoset masë e arrestit shtëpiak.

Përkundër që vendimi është përkthyer më 13 tetor, Policia ende nuk i ka kthyer përgjigje gjyqtarit Nicolas Giju.

Kjo konfirmohet për RTK-në nga Gjykata Speciale.

“Policisë së Kosovës i janë dhënë dy javë kohë nga njoftimi i përkthimit në shqip të Urdhrit për t’iu përgjigjur gjyqtarit të procedurës paraprake. Të gjitha dosjet publike janë në dispozicion në faqen e internetit të Gjykatës Speciale. Çdo subjekt apo person në Kosovë duhet të bashkëpunojë me Dhomat e Specializuara dhe të pajtohet pa vonesë me çdo kërkesë”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Edhe pas 8 ditësh, Policia e Kosovës nuk është përgjigjur në interesimin e RTK-së rreth kësaj çështje. Shkurtimisht, kanë kërkuar që televizioni t’i referohet deklaratës së drejtorit Samedin Mehmeti, dhënë javë më parë në Komisionin Parlamentar për Siguri. Por aty, ai ka refuzuar të përgjigjet qartë.

“Ne kemi pasur kërkesë nga avokatët, dhe jemi përgjigjur se kemi kapacitete për secilin vendim. Për Dhomat e Specializuara iu lus të na kurseni neve, dhe ta pyetni Gjykatën”, kishte thënë Mehmeti në mbledhjen e 12 tetorit.

Për avokatët në Kosovë, Policia është e obliguar të japë sqarime për gjykatësin e Speciales.
“Në Ligjin për Gjykatën Speciale parashihet se të gjitha institucionet në Kosovë, përfshirë edhe Policinë, janë të obligueshme t’i përgjigjen Gjykatës Speciale apo Dhomave të Specializuara”, thotë avokati Skënder Musa.

Madje, nëse nuk ka përgjigje nga Policia, atëherë mund të merren edhe masa tjera.

“Unë besoj që Policia brenda afatit ligjor do të përgjigjet, përndryshe mund ta përsërit urdhërin, por mund të ketë edhe pasoja tjera ligjore për personat zyrtar që nuk i zbatojnë urdhërat e Gjykatave”, shprehet tutje Musa.

Urdhrin për të kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës, gjyqtari e ka marrë nga një vendim i Gjykatës së Apelit në Hagë.
Policia duhet të ofrojë përgjigje konkrete rreth masave që mund t’i zbatojnë për lirim me kusht, monitorim të komunikimeve dhe administrim të arrestit shtëpiak për të akuzuarit nga Gjykata Speciale.