Lajme

21 shtatori caktohet si datë e re paraprake për kalimin e dosjes për gjykim në rastin e Pjetër Shalës

08/22/2022 10:46
nga:G B

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë njoftuar se në vendimin e fundit, gjykatësi i procedurës paraprake në rastin ndaj Pjetër Shalës, ndryshoi datën 31 gusht 2021, që e kishte parashikuar fillimisht për kalimin e dosjes për gjykim dhe caktoi 21 shtatorin 2022 si datë të re paraprake.

Sipas njoftimit, gjykatësi gjithashtu zgjati afatin për mbrojtjen, për të dorëzuar dosjen paraprake të saj nga 15 gushti në 5 shtator 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.