Lajme

“2000 euro për të fshirë fotot intime nga TikTok”, arrestohen 2 burra në Gjirokastër

01/28/2025 13:37
nga:Y I

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar dy burra, të cilët akuzohen se kanë shantazhuar një grua duke i kërkuar 2000 euro për t’i fshirë fotot intime të publikuara në rrjetin social TikTok, raporton A2 CNN.

Në pranga ranë shtetasit A. Xh., 45 vjeç dhe A. L., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur nëpërmjet celularit, një 40-vjeçare, për dhënien e shumës 2000 euro, që të fshinin disa foto intime të saj, nga rrjeti social TikTok.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.