Lajme

200 mysafirë s’u duken mjaft kosovarëve, dasmat i organizojnë në Maqedoni e Shqipëri

06/30/2021 19:25
nga:M K

Dasmat dhe ahengjet familjare me masat e reja, kanë nisur prej datës 15 qershor.

Ndërkohë, manuali i ri nga Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se pas heqjes së masave anti-Covid ahengjet familjare do të mbahen vetëm me 200 dasmorë.

Ky vendim siç duket ka shkaktuar pakënaqësi nga dasmorët duke bërë që ata të nisin mbajtjen e ahengjeve në vende tjera, jashtë Kosovës.

Visar Demolli, Kryetari i Hotelierisë dhe Turizmit në një prononcim për lajmi.net tha se dasmat po organizohen jashtë vendit dhe vendimi vetëm për 200 persona të ftuar ka qenë vetëm pretekst dhe presin që nga data 1 deri me 5 korrik të rishqyrtohen këto masa.

“Po deri dikund, po ka qenë si pretekst po ne mendojmë që nga data 1 korrik deri me datë 5 korrik presim që të rishqyrtohen këto masa pra të rritet numri i mysafirëve dhe zgjatja e orarit deri në orën 01:00 të natës ashtu siç na ka premtu Ministri Vitia, po ashtu presim nga data 1 korrik të hapen dhe klubet e natës në ambiente te hapura”, tha Demolli.

Përndryshe, më 16 qershor është finalizuar manuali nga MSh-ja dhe rreth 30% e kapaciteteve të brendshme hoteliere do të mund të shfrytëzohen për organizimin e dasmave.

Ndërkohë, artistët e estradës tashmë vetëm se kanë rezervuar datat në shtetet e rajonit.