Lajme

200 euroshin në zarf/ Efektivja e policisë ‘zhvat’ qytetarët e Kosovës për nënshtetësinë shqiptare

07/14/2022 07:52
nga:G B

Një efektive me detyrë operatore e zyrës së shërbimit ndaj qytetarëve në policinë e Tiranëse quajur Erinda H. është marrë e pandehur nga prokuroria e Tiranës, për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.

Punonjësja e policisë merr para nga disa qytetarë nga Kosova që kishin aplikuar për marrjen e shtetësisë së Shqipërisë. Shumën prej 200 eurosh, ajo e fut brenda një flete të zbardhë, të cilën e vendos mbi tastierën e kompjuterit.

Hetimi për rastin nisi pas shqetësimit të ngritur pranë Shërbimit të Çështjeve dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme nga Mentor Muharremi, i cili u ankua në lidhje me ecurinë e procedurave ligjore për përfitimin e shtetësisë shqiptare.

Ai ka shpjeguar se, bashkë me të vëllanë, janë paraqitur në drejtorinë e Tiranës, ku kanë dorëzuar dokumentet dhe punonjësja e policisë iu ka kërkuar 100 euro secilit, si pagesë për pranimin e aplikimit. 3 javë më vonë, është ankuar babai i tyre, për arsyet se përse pagesa nuk ishte pasqyruar në vërtetimin e lëshuar për dy djemtë e tij. Nga hetimet ka rezultuar se dy vëllezërit në fjalë ishin të përjashtuar nga një pagesë e tillë, për shkak të origjinës shqiptare të nënës së tyre.

Ndërkohë që në rastet kur duhej paguar një tarifë e caktuar nga aplikantët, ata ishin të detyruar të bënin derdhjen e shumës në një llogari të çelur në një bankë të nivelit të dytë. Duke qenë se kjo gjë nuk kishte ndodhur, hetimet janë zgjeruar kundrejt efektivëve dhe në këtë rast, policja Erinda H., ka dalë zbuluar.