Lajme

“20 muaj me vonesë”|| Për Ligjin e Pagave, PDK, LDK e AAK fjalën e tyre do ta thonë në Kuvend – paaftësi e Qeverisë

10/18/2022 12:50
nga:G B

Partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK kanë thënë se për Projektligjin për Paga do ta japin kontributin në Kuvendin e Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Opozita ka kritikuar Qeverinë për vonesën e sjelljes së këtij projektligji në Kuvend.

Sipas tyre, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së vullnetit politik.

Nga LDK kanë thënë se kontributin do ta japin në Kuvend, duke nënkuptuar se nuk kanë dërguar komente për këtë projektligj.

Këtë e ka konfirmuar shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi.

“Ne si LDK kontributin tonë për këtë çështje do ta japim në Kuvend”, është shprehur Gashi për Gazeta Blic.

Ndërsa, nga PDK kanë thënë se do të nisin amandamentimet në kohën kur projektligji do të jetë në komisionin përkatës.

“Kur të vjen në Kuvend Ligji për Paga, si PDK, ekspertët tanë si GP do të nisim amandamentimet në kohën kur ligji është në komisionin përkatës”, ka thënë shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri për Gazeta Blic.

Kurse, lidhur me vonesën e deritanishme të këtij projektligji, Tahiri e vlerëson si paaftësi të Qeverisë dhe mungesë të vullnetit politik të saj.

“Ky projektligj ka kaluar në vitin 2019, ato rekomandime nga gjykata kushtetuese nuk thotë që ky ligj duhet të vonohet kaq shumë. Nuk është që nuk ka pasur buxhet për jetësimin e tij për shkak se ju e dini, buxheti i Kosovës është më i madhi aktualisht por këtu ka munguar vullneti i qeverisë për ta adresuar, mungesë e vullnetit politik dhe paaftësi e qeverisë për ta trajtuar këtë çështje”, ka deklaruar Tahiri.

Në anën tjetër, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se Ligji i pagave që sot e trajton qeveria është produkt i AAK-së.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic ka thënë se kontributin do ta japin në komision, teksa vlerëson se vonesa deri tani është mashtrimi më i madh i bërë ndaj zyrtarëve publikë.

“Ndryshimet të cilat i kanë pretenduar janë ndryshime tona që lidhen me parashikueshmërinë e pagave dhe rritjen e pagave, kontributin nen për nen do ta japim në komision, ku unë jam anëtar i këtij komisioni. Vonesa e deritanishme është mashtrimi më i madh që ju ka bërë zyrtarëve publikë në këta 20 muajt, nga 14 shkurti”, ka deklaruar Tahiri nga AAK.

Ndryshe, komente për këtë projektligj kanë dërguar SBASHK dhe FSSHK./Gazeta Blic/

 

Ligji i pagave në Qeveri, 130 euro koeficienti|| – GazetaBlic sjell detaje ekskluzive për rekomandimet që kanë dhënë SBASHK dhe FSSHK