Lajme

20 korriku si afat për aktgjykimin në Hagë, Paneli Gjykues thotë se mund të ketë shtyrje tjetër nëse iu duhet

05/06/2026 09:53
nga:Sh R

Një datë e re është caktuar deri kur mund të shpallet aktgjykimi në Dhomat e Specializuara në Hagë në rastin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së. Gjykata Speciale tha se 20 korriku është afati deri kur gjykata mund të shpallë aktgjykimin. Por, as kjo s’është e sigurt sepse mund të ketë edhe shtyrje tjetër nëse Trupit Gjykues i “bëhet absolutisht e nevojshme”.

Kështu deklaroi zëdhënësja e Speciales, Angela Griep, në një përgjigje sot Express. Ajo tha se Trupi Gjykues ka nxjerrë një vendim për të zgjatur afatin për shpalljen e Aktgjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të “kompleksitetit të rastit”.

Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur, shpjegoi ajo, derisa paralajmëroi se mund të ketë edhe datë tjetër pas 20 korrikut.

“Trupi Gjykues shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme bëhet absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër përkatës në kohën e duhur”, tha ajo”.

Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 19 maj, sipas afateve procedurale.