Lajme

Xhafer Tahiri konfirmon mospjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Kurti

08/31/2021 11:27
nga:M K

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka konfirmuar mos-pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti.

Xhafer Tahiri e ka konfirmuar për KosovaPress se nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë takim.

Ai është pyetur nëse njëjtë do të veprojnë edhe bashkëpartiakët e tij.

“Ky nuk është vendim partiak, është vendim i bordit të AKK-së. Unë nuk do të marrë pjesë në këtë takim”, ka deklaruar Tahiri.

Ndryshe, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të mos marrin pjesë në takimin urgjent të ftuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qëllimi i këtij takimi mësohet të jetë situata e krijuar nga pandemia me COVID-19. Ky takim i thirrur nga Kurti pritet të mbahet në ambientet e Qeverisë së Kosovës, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.