Lajme

Skandali financiar, deputeti i VV-së i del në mbështetje Martin Berishajt, e quan “flori”

04/22/2022 10:26
nga:N M

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i ka dhënë mbështetje përmes një komenti Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, i cili sipas mediave sllovene dyshohet se është përfshirë në një skandal të madh financiar.

Dugolli i ka quajtur raportimet për përfshirjen e tij në skandalin financiar shpifje të qëllimshme, derisa Berishajn e ka quajtur shembull të një intelektuali e patrioti të mirëfilltë shqiptar, shkruan Reporteri.net.

“Kot e kanë. Floriri mbetet i njëjtë pavarësisht tentivave për ta baltosur”, shkruan ndër të tjera Dugolli.

Edhe vetë Berisha reagoi gjatë ditës së sotme duke mohuar akuzat rreth skandalit financiar.

Berisha ka paralajmëruar padi ndaj mediumit që publikoi lajmin.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, shkroi ai.