Ministria e Shëndetësisë nuk i vazhdoi kontratat për mbi 300 profesionistë mjekësorë.
Me këtë rast, deputetja nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi i ka reaguar ministrit Vitia, duke e ftuar këtë të fundit që të merr shembull nga ish-ministri Zemaj, lidhur me menaxhimin e pandemisë, përcjell GazetaBlic.
Më poshtë edhe fjalimi i saj i plotë.
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të dashur qytetarë,
Çdo ditë e më shumë Qeveria Kurti dhe njerëzit e saj, po e dëshmojnë atë që vazhdimisht e kemi thënë se ardhja e tyre në pushtet është e dëmshme për vendin dhe qytetarët, interesin e të cilëve asnjëherë nuk e vendos në rend të parë.
Kjo u pa edhe në rastin e stafit mjekësor të cilët ishin angazhuar gjatë pandemisë Covid-19, për të ofruar sherbime shëndetësore për qytetarët e vendit, ku Ministria e Shëndetësisë vendosi t’ua ndërpresë kontratën për angazhim të me tutjeshëm, me arsyetimin se nuk ka buxhet për t’i paguar. Pra, merreni me mend deri në cilën pikë ka degraduar kjo Qeveri, e cila thotë se nuk ka para për të paguar njerëzit që rrezikuan familjet e tyre në situatën me kritike kur ndodhej vendi, derisa në anën tjetër paguan dhjetëra miliona euro për keqpërdorimin e energjisë elektrike në pjesën e banuar me shumicë serbe në Veri të Kosovës.
Si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës ndihem e shqetësuar për fatin e qytetarëve të vendit tim, veçmas tani të atyre që nuk i njihet kontributi në momentet me të vështra të përballjes me pandeminë Covid-19.
Mbi 300 infermierë dhe profesionistë tjerë të dalluar që ishin angazhuar, si staf mbështetës për nevoja urgjente në përballje me pandeminë, tani janë nxjerr në rrugë. Shikoni se sa mos mirënjohes janë këta njerëz që kanë marrë në duar drejtimin e shtetit. Nuk paska para për stafin mjekësor që punuan me orar të stërzgjatur dhe që vendosen në rrezik jetën e familjarëve të tyre, fëmijëve e baballarëve, me qëllimin e vetëm për të ofruar shërbime mjekësore për të infektuarit me virusin Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë në një njoftim publike e paska arsyetuar këtë vendim të dëmshëm, se kinse kjo ka ndodhur, për shkak se në projektin e shëndetësisë nuk është alokuar buxhet për angazhim të metejm të stafit shtesë mjekësor. Në njoftim përmendet poashtu edhe situata aktuale epidemiologjike dhe rënia e numrit e të infektuarve dhe viktimave nga virusi Covid-19, për të përcjellur kështu mesazh të tërthort se nuk ka nevojë më për ta. Pra, konkretisht thonë se “situata aktuale epidemiologjike tani është shumë më e qetë dhe të dhënat nga raportet ditore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tregojnë se numri i pacientëve me COVID-19, aktualisht në trajtim është shumë më i vogël se në kohën e angazhimit të këtij stafi”.
Ministri Vitija, duhet ta dij se injoranca në raport me stafin mjekësor dhe nënvlerësimi i kontributit të tyre, i bën dëm mbarë shëndetësisë, e cila vazhdimisht përballet me vështirësi të natyrave të ndryshme, nisur nga mungesa e stafit mjekësor, paisjeve dhe kushteve elementare për të ofruar shërbime cilësore.
Prandan, unë theksova edhe me lartë se ndihem e shqetësuar me qasjen tuaj. Sistemi i shëndetësisë vazhdimisht është përballur me ikje të mjekëve dhe infemrierëve të dalluar edhe si rezultat i veprimeve të tilla. Andaj ju po i stimuloni të braktisin vendin për të ofruar shërbime mjekësore diku tjetër, siç kanë vepruar edhe shumë mjekë të tjerë.
Ministria e Shëndetësisë duhet t’i kërkoj falje të gjithë stafit mjekësor për këtë vendim të gabuar dhe sa më parë të sigurojë buxhet të nevojshëm për të vazhduar angazhimin e tyre në institucionet shëndetësore. Ne nuk do të lejojmë që të humbim më shumë profesionistë shëndetësor. Është momenti i fundit që të ndërmerrni veprimet e nevojshme për t’i kthyer në punë stafin mjekësor, përfshirë, mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), që kanë qenë të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19.
Duhet të ndalen veprimet e tilla të dëmshme për qytetarët, sepse ua keni zbehur shpresën, por kurrësesi idealin për vendin.
Ju faleminderit për vëmendje,
/GazetaBlic/