Lajme

“Ligji për konfiskimin e pasurisë” – Qeveria synon të krijojë një institucion të ri të pavarur, pa mbështetje në Kushtetutë

01/07/2022 11:58
nga:N M

Do të mjaftojnë vetëm votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar një institucion të ri të pavarur, që nuk parashihet në Kushtetutë.

Kjo do të bëhet duke votuar Ligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Megjithëkëtë, sipas Kushtetutës së Kosovës një kompetencë të tillë, për të themeluar institucione të reja të pavarura, nuk i takon Kuvendit të Kosovës. Kuvendi mund të themelojë agjencione të pavarura.

Me ligjin e ri të propozuar nga Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti, do të krijohet institucioni i ri i pavarur, me të gjitha tiparet e një institucioni që do të hetojë dhe akuzojë.

Byroja do të jetë i ndarë nga sistemi aktual i cili përbëhet nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

Në kapitullin 12 të Kushtetutës së Kosovës, janë të renditura institucionet e pavarura kushtetuese.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës mund të themelojë agjencione të pavarura.

Kjo është e përcaktuar në Nenin 142. “Agjencitë e pavarura të Republikës së Kosovës janë institucione të krijuara nga Kuvendi, në bazë të ligjeve përkatëse, të cilat rregullojnë themelimin, funksiononim dhe kompetencat e tyre. Agjencitë e pavarura funksionet e tyre i kryejnë në mënyrë të pavarur nga çdo organ ose autoritet tjetër në Republikën e Kosovës”, thuhet në Kushtetutë.


Kompetencat dhe përgjegjësitë e Byrosë do të jenë të mëdha. Byroja do të ketë të drejtë të fillojë dhe zhvillojë procedurën e verifikimit të pasurisë, dhe parashtrojë propozimin për konfiskim të pasurisë në Gjykatë.

Pavarësisht se Byroja do të ketë mbi vete përgjegjësi dhe detyra të mëdha, Drejtor i Përgjithshëm i Byrosë, i cili do të jetë zyrtari kryesor i këtij institucioni, mund të bëhet edhe një person që arrin të plotësojë kriteret minimale.

Gazeta Blic ka raportuar të enjten se për të zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm të Byrosë do të hapet konkurs, por në fund do të jenë deputetët e Kuvendit të Kosovës që do të votojnë më emërimin e tij.

Kjo do të bëhet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Kuvendit do t’i dërgohen së paku emrat e dy kandidatëve më të suksesshëm.

Aktualisht, gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës vijnë nga Vetëvendosje dhe kjo do të thotë se partisë në pushtet, që udhëhiqet nga Albin Kurti, nuk do t’i duhej konsensusi dhe as mbështetja nga partitë opozitare për të caktuar në krye të këtij institucioni një drejtues të pavarur politikisht.

Sipas Nenit 11 të projektligjit të miratuar nga Qeveria dhe që është dërguar në Kuvend, gjashtë është numri i kritereve që duhet të plotësohen dhe që mjaftojnë për t’u zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm.

Në mesin e kritereve minimale që duhet të plotësojnë kandidatët është të jetë shtetas i Republikës së Kosovës” dhe do të mjaftojë që të ketë diplomë universitare në fushën e drejtësisë”.

Drejtori i ardhshëm i Byrosë do të ketë detyra të mëdha. Në mesin e këtyre kompetencave është fuqia e tij për të “nxjerr vendime konform mandatit dhe kompetencave të Byrosë”, pra edhe për të urdhëruar zhvillimin e procedurave për verifikimin e pasurisë.

Projektligji për Byron Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar nga Qeveria Kurti në fund të muajit dhjetor dhe i njejti i është dërguar Kuvendit të Kosovës. Shqyrtimi i tij në komisionet parlamentare ende nuk ka nisur.
Nëse miratohet, ky ligj do të hyjë në fuqi 6 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Krasniqi: Projektligji për konfiskimin e pasurisë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës