Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar për ambasador të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier i cili pritet ta pasojë ambasadorin aktual, Philip Kosnett pasi konfirmimit nga Senati amerikan.
Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Hovenier aktualisht është zëvëndësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Ankara të Turqisë. Ai gjithashtu ka shërbyer edhe në ambasadën e SHBA-së në Berlin si dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.
Në Uashington ai ka kryer detyrën e Drejtorit për Çështjet të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.
Ambasadori në largim Kosnett sot njoftoi se zëvendësi i tij, Nick Giacobbe, do të jetë i ngarkuar me punë deri në ardhjen e ambasadorit të ri.
Ai ka thënë se të qenët ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka qenë një “nder i madh”,
“Largohem i bindur në aftësinë e popullit të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Kosnett përmes një postimi në Twitter.
Mandati trevjçar i Kosnettit përfundon në fund të vitit.