Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes një postimi në faqen e tij në Facebook ka bërë një përmbledhje të takimeve që ka pasur në Mynih ku është mbajtur konferenca e Sigurisë, raporton Gazeta Blic.
Ai bashkë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ishin pjesë e kësaj konferencë.
Njoftimi i plotë:
Për dy ditë e gjysmë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla, zhvilluam 17 takime takime bilaterale e biseda me liderë e përfaqësues politikë nga Evropa dhe bota.
Për marrëdhëniet biletare dhe fushat e bashkëpunimit biseduam me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, me kryeministrin e Bullgarisë, Kiri Petkov, dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimistar Kovaçevsik. Kurse bashkë me presidenten Vjosa Osmani Sadriu, takuam kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ku theksuam rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i radhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy shteteve tona.
Në takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák diskutuam për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq në takimin me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn kërkuam dhe morëm premtim për më shumë mbështetje financiare dhe teknike në fushën e arsimit dhe punësimit të të rinjëve.
Po ashtu takuam ministren e Punë të Jashtme të Australisë, Marise Payne, ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, një prej shteteve të para të Lindjes së Mesme që kanë njohur Republikën tonë, Ayan Safadi dhe ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Ozdemir. Të gjithë i falënderuam për marrëdhëniet e mira dhe i shkëmbyem zotimet tona për përparimin e tyre.
Ditën e dytë e filluam herët me takimin me Senatoren amerikane të shtetit të Ioëa-s, miken e Kosovës, Joni Ernst, të cilës i shprehëm mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me zëvendëskryeministren Gërvalla zhvilluam takime dhe me udhëheqësit e subjekteve politike gjermane, kryesuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil, me kryetarin e Unionit Kristian Demokratik të Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe bashkë-drejtuesin e Partisë së Gjelbër gjermane, deputetin Omid Nouripour.
Gjithashtu, takuam edhe lideren opozitare të Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya dhe Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt.
Mundësitë dhe potencialin për investime në Kosovë i prezantova gjatë një dreke pune me ndërmarrës dhe investitorë të huaj në kuadër të Forumit Angermyer të Politikës dhe Inovacionit.
Si pjesë e panelit të titulluar “Humbur në tranzicion: Sfidat dhe perspektivat e llogaridhënies dhe drejtësisë tranzicionale”, ritheksova domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë. Kurse në panelin “Rezistenca e fushëbetejës? Forcat rezervë si mbështetje e nevojshme për Forcat e Armatosura” fola për buxhetin tonë të rritur për Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe për përkushtimin e Qeverisë për modernizimin e Ushtrisë.
Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte tema e takimit me Presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Peter Maurer.