Qeveria e Kosovës në projektligjin e buxhetit për vitin 2024 ka ndarë 100 mijë euro për ndërtimin e stadiumit të futbollit në qytetin e Suharekës.
Qeveria Kurti është treguar dorështrënguar për “Qytetin e Kampionëve” me ndarje të vetëm 100 mijë eurove për stadiumin e ri të këtij qyteti.
Burimet e Paparacit bëjnë të ditur se stadiumi i ri që pritet të ndërtohet kap vlerën prej mbi 20 milionë eurove, andaj shuma e ndarë nga qeveria po cilësohet tejet e vogël.

Projekti zbatues dhe lokacioni është prezantuar nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj pas kërkesës së ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Çeku në seancën e Kuvendit të Kosovës pati thënë se presin që të caktohet lokacioni nga ana e kësaj komune si dhe projektin zbatues dhe më pas Qeveria e Kosovës do ta ndajë buxhetin për këtë projekt.
Kështu, pas një javë Muharremaj, ka postuar në rrjetet sociale, planin e stadiumit dhe vendin ku është planifikuar të ndërtohet, duke shkruar se si komunë janë gati.
“Ekziston lokacioni si parcelë katastrale, në sipërfaqen 16 hektar, ku është i miratuar në PZHK dhe HZK. Poashtu e kemi edhe projektin ideor të stadiumit të qytetit – kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse”, kishte shkruar Muharremaj.
FC Ballkani tashmë është kthyer në emër të futbollit kosovar, pas dy titujve të fituar dhe pjesëmarrjes dy herë radhazi në garat ndërkombëtare.


