Lajme

16 të akuzuarit për shpëlarje parash kërkojnë hedhjen e aktakuzës, Prokuroria Speciale kërkon konfirmimin e saj

07/06/2021 15:27
nga:Gazeta Blic

Gjashtëmbëdhjetë të akuzuarit për shpëlarje parash po kërkojnë hedhjen e aktakuzës ndaj tyre nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa prokurori Dren Paca po kërkon konfirmimin e saj.Baki Abdullahu, Haki Hyseni, Arsim Hasani, Valdet Shaqiri, Skender Potera, Muharrem Kadriu, Xhevahir Begolli, Nadir Shantir, Sali Bivolaku, Idriz Buza, Shkëlqim Latifaj, Enver Çoçaj, Jeton Govori, Besnik Rexha, Jusuf Lataj dhe Agron Haxhosaj akuzohen se kanë përvetësuar dhe kanë tentuar të transferojnë parcelat në pronësi shoqërore që ndodheshin në Laplje Selo e Veternik, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, sistemimit, lëvizjes dhe pronësisë së pronave.

Në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur në Departamentin Special, të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre kanë elaboruar kërkesat për hedhjen e aktakuzës si dhe kundërshtimin e provave.Sipas mbrojtësit të të akuzuarit Hyseni, avokatit Ali Beka, në këtë rast kemi të bëjmë me një aktakuzës e cila ka të bëjë me një grup tjetër për vepra tjera dhe sipas tij, nuk është në rregull që aktakuza e dikujt tjetër të përdoret për të tjerët.

Mbrojtësi i të akuzuarit Abdullahu, avokati Kadri Mjekiqi ka deklaruar se qëndron pranë kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.Ndërsa, sipas mbrojtësi i të akuzuarit Shaqiri, avokati Hekuran Haxhi Beqiri ka thënë se aktakuza ka kontradikta ndërmjet veti dhe se sipas tij, prokuroria aktakuzën e ka mbështetur vetëm në pretendimin se pronat janë blerë dhe janë shit me një çmim jo real, e që Kosova ka ekonomi të lirë të tregut.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Potera, avokati Rrahim Ajeti ka thënë se nuk ka asnjë provë më të cilën vërtetohet se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale shpëlarje parash, e sipas tij i njëjti pronën e ka blerë krejtësisht në pajtim me ligjin.Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Kadriu, avokatja Fetije Uka ka pretenduar se i mbrojturi i saj në asnjë mënyrë nuk ka ndërmarr veprime inkriminuese me të cilat e ngarkon aktakuza dhe se sipas saj, i njëjti është viktimë dhe i dëmtuar.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Bivolaku, avokati Alban Makolli ka kërkuar nga gjykata që të anulohet urdhëresa me të cilën janë sekuestruar pronat e gjithsecilit të pandehur, si dhe i ka propozuar gjykatës që ta aprovoj kërkesën për hedhjen e aktakuzës.Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Çoçaj, avokatja Teuta Qaushi, i ka propozuar gjykatës që në mungesë të provave konkrete dhe pretendimeve të dhëna në kërkesën të bëjë hedhjen e aktakuzës dhe pushimin e procedurës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Govori, avokati Ibrahim Dobruna ka kërkuar nga gjykata që kjo çështje të trajtohet me seriozitet.Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Lataj, avokati Radoniqi ka kërkuar që të hedhet poshtë aktakuza.Ndërsa, i akuzuari Haxhosaj ka thënë se prona për të cilën po akuzohet është blerë sipas kontratë të shitblerjes dhe sipas tij e njëjta është e noterizuar dhe e vërtetuar.

Në anën tjetër, prokurori Paca i ka propozuar gjykatës që të marr aktvendim me të cilin do t’i refuzoj kërkesat e të akuzuarve, duke pretenduar se aktakuza është në përputhje të plotë me dispozitat ligjore si dhe është e mbështetur në prova të mjaftueshme të ligjshme e të pranueshme të cilat vërtetojnë qartë gjendjen faktike të përshkruar në dispozitiv të aktakuzës.

Në fund të seancës, gjykatësja Violeta Namani ka thënë se për kërkesën e palëve do të marrë vendim të veçantë brenda afatit ligjor.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Samir Haxhimusaj, për të cilin, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani, në seancën e së hënës ka bërë veçimin e procedurës, pasi ka konstatuar se i njëjti gjendet jashtë vendit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 24 tetor 2016 ka ngritur aktakuzë ndaj Baki Abdullahut, Haki Hysenit, Arsim Hasanit, Valdet Shaqirit, Skender Poterës, Muharrem Kadriut, Xhevahir Begollit, Nadir Shantirit, Sali Bivolakut, Idriz Buzës, Samir Haxhimusajt, Shkëlqim Latifajt, Enver Çoçajt, Jeton Govorit, Besnik Rexhës, Jusuf Latajt dhe Agron Haxhosajt, për shkak të veprës penale “shpëlarja e parave”, vepra penale në bashkim dhe në vazhdim, në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 23 dhe 71 të KPRK-së në fuqi deri më 31 dhjetor 2012, po ashtu paraparë edhe me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së në fuqi që prej janarit 2013; në kundërshtim me nenin 10 të Rregullores së UNMIK-ut nr.2004/2 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe veprave penale të përafërta dhe në kundërshtim me nenin 56 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit”, në fuqi prej 15 qershor 2016, siç referohet me nenin 308 të KPRK-së, të hyrë në fuqi nga 1 janari 2013.

Sipas kësaj aktakuze, të akuzuarit e lartcekur akuzohen se duke e ditur apo duke pasur arsye për ta ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore të cekura më poshtë janë fitim i krijuar me aktivitete kriminale, posaçërisht se pronësia e këtyre pronave ishte transferuar zyrtarisht tek persona të entitetit serb.PSRK-ja pretendon se këto prona kanë qenë në fakt nën kontrollin dhe posedimin e grupit të organizuar kriminal të përshkruar në pikën një të aktakuzës, si rezultat i veprimtarive kriminale të përshkruara në pikat nga 1 deri në 19, në bashkëpunim me të paraqiturit si përfaqësues të shitësit të parcelës së tokës dhe me vet blerësin që janë vet ata, kanë transferuar dhe kanë tentuar të transferojnë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, sistemimit, lëvizjes dhe pronësisë së pronave, apo në çfarëdo rrethanash, me qëllim të asistimit të të akuzuarve tjerë të cilët ishin të përfshirë apo kishin qëllimin e përfshirjes në kryerjen e veprës penale, që ka shkaktuar shmangien nga pasojat juridike, ose pasojat e mundshme ligjore, për veprimet e tyre, në veçanti.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Baki Abdullahu akuzohet se më 24 maj 2006 ka përvetësuar dy parcela të tokës në Laplje Selo nga Edvard Gashi, i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit dhe në emër të anëtarëve të familjes Stevic, me çmime artificialisht të ulëta, 82 mijë euro (20.83 euro për m2) dhe më 18 tetor 2006 i ka transferuar ato nga Haki Hyseni për një çmim prej 80 mijë euro (20.29 euro për m2).

Haki Hyseni akuzohet se më 18 tetor 2006 ka transferuar parcelat e tokës në Laplje Selo nga Haki Abdullahu, me çmim të ulët prej 82 mijë euro, Arsim Hasani akuzohet se më 5 shtator 2006 ka përvetësuar parcelën në Laplje Selo nga Fahredin Gashi, me një çmim të ulët prej 49 mijë e 560 (28 euro për m2), Valdet Shaqiri akuzohet se më 9 korrik 2007 ka përvetësuar parcelën në Laplje Selo nga Shaban Syla, i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit dhe në emër të KRUNA BLAGOJEVIQ, në çmim të ulët prej 127,400 euro (25 m2) dhe më 30 tetor 2007, ka transferuar këtë parcelë tek Skender Potera, në çmim prej 153 mijë euro (30 për m2). Skender Potera e ka përvetësuar parcelën e lartcekur nga Valdet Shaqiri në çmim prej 153 mijë euro (30 m2).

Muharrem Kadriu akuzohet se m2 11 shtator 2007 ka përvetësuar parcelën nga Shaban Syla, i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit dhe në emër të Kruna Blagojevic, në çmim të ulët prej 156.750 (28.65 euro për m2), dhe më 16 mars 2013 këtë parcelë ai e ka transferuar tek ndërmarrja Jusaj Metal për një çmim të ulët prej 405 mijë euro (74 m2), Xhevahir Begolli akuzohet se më 29 qershor 2007 ka përvetësuar parcelën e lartcekur nga Shaban Syla , i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit dhe në emër të Kruna Blagojevic në çmim artificialisht të ulët prej 51.700 euro (14.96 euro për m2) dhe më 8 mars 2008 të njëjtën e ka transferuar Nadir Shantir në çmim artificialisht të ulët prej 51.855 euro (15 m2). Nadir Shantir akuzohet se më 8 mars 2008 nga Xhevahir Begolli kishte përvetësuar parcelën e lartpërmendur. Sali Bivolaku akuzohet se më 2 korrik 2012 përmes përfaqësuesit të tij, Avni Maxhunit ka përvetësuar parcelën e tokës në Veternik nga Shqipe Maxhuni në çmim artificialisht të ulët prej 150 mijë euro (55.56 m2).

Idriz Buza akuzohet se më 14 gusht 2012 ka përvetësuar parcelën në Veternik nga Elhame Uka në çmim artificialisht të ulët prej 9 mijë euro (3.33 euro për m2). Samir Haxhimusaj akuzohet se më 13 shtator 2012 ka përvetësuar parcelën e tokës në Veternik nga Visar Ahmeti në çmim artificialisht të ulët prej 9.800 euro (9.80 euro për m2), Shkëlqim Latifaj akuzohet se më 16 nëntor 2012 ka përvetësuar parcelën e tokës në Veternik nga Ilaz Syla në çmim artificialisht të të ulët prej 60 mijë euro (38.96 euro për m2), dhe më 25 qershor 2013 e ka transferuar tek Enver Çoçaj në çmimin artificialisht të ulët prej 61 mijë euro (39.61 euro për m2). Enver Çoçaj, akuzohet se më 24 gusht 2012 ka përvetësuar parcelën e tokës nga Ilaz Syla në çmim artificialisht të ulët prej 9.900 euro (2.48 euro për m2), dhe më 16 nëntor 2012 ka përvetësuar parcelën tjetër të tokës në Veternik nga Shkëlqim Latifaj në çmimin prej 61 mije euro (39.61 euro për m2), të cilën më 7 maj 2015 e ka transferuar tek Jusuf Latifaj dhe Agron Haxhosaj në çmim të ulët prej 72 mijë euro (46.75 euro për m2), Jeton Govori akuzohet se më 31 tetor 2012 ka marrë autorizimin nga Ilaz Syla për të vepruar në emrin e tij në çështjet që ndërlidhen me parcelën me nr. 1870/10, dhe më 8 janar 2013 ka lidhur një marrëveshje me Ilaz Sylën dhe ndërmarrjen e tij “Ndërmarrja e re Komoran”, nëpërmjet të cilës i është miratuar e drejta pronësore mbi parcelën e tokës 1870/18 në Veternik, e më 4 mars 2013, duke përfaqësuar “Ndërmarrjen e re Komoran” ai ka transferuar parcelën e lartcekur tek Besnik Rexha me një çmim artificialisht të ulët prej 60 mijë euro (60 euro për m2), me sa duket paguar me mjetin motorik BMË X6, në vend të parave.

Besnik Rexha akuzohet se më 4 mars 2013 ai ka përvetësuar nga Jeton Govori parcelën e lartcekur. Jusuf Lataj dhe Agron Haxhosaj akuzohen se më 7 maj 2015 kanë përvetësuar parcelën e tokës në Veternik nga Enver Çoçaj në çmim artificialisht të ulët prej 72 mijë euro (46.75 euro për m2).