Lajme

16 shkolla pa punëtorë teknik, Azemi fajëson Komunën e Prishtinës – kontraktimi i kompanisë mund të vonohet 6 muaj

05/04/2023 20:52
nga:G B

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se askush nuk po e merr fajësinë për 154 punëtorët teknikë në shkollat e Prishtinës, të cilët janë pa kontrata që nga 1 prilli.

“Realisht gjendjen e dinë të gjithë, fatkeqësisht, por nuk po e merr askush fajësinë. Në këtë gjendje janë diku rreth 154 punëtorë, të cilët një pjesë e tyre, mbi 30 nuk kanë marrë paga as për muajin shkurt, kurse tash realisht u ka skaduar afati i kontratave dhe të gjithë këta punëtorë janë jashtë procesit të punës”, thotë ai për Gazeta Blic.

Azemi tregon se në takimet në dhjetor u ishte thënë se tenderi po shkon gjithçka në rregull dhe nuk do të ketë shkëputje të punës, por që nuk kishte ndodhur kështu.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës tha duhet zbritur pagat e tyre nga 300 në 250, ku për Sindikatën ishte e papranueshme.

“Ne kemi pasur takime në dhjetor, kemi tërhequr vërejtjen që kontratat të bëhen me kohë dhe na është thënë decidivisht, për 30 punëtorë të cilëve u ka kaluar afati i kontratës ndërsa për të tjerë 120 na kanë garantuar se tenderi po shkon gjithçka në rregull dhe nuk do të ketë shkëputje të punës. Ajo nuk ndodhi. Ndodhi që kanë bërë maltretime, mund ta themi këtë, në fillim kanë dalë me pagë 300 euro për punëtorët teknikë dhe pastaj sigurisht në marrëveshje me Komunën, pronarët e kompanive u ka thënë dikush atyre zyrtarëve nëse i qitni pagën 300 euro për këta punëtorë, nuk ka mjete, nuk ka ryshfet për juve dhe Komuna e Prishtinës gjatë negocimit të kontratës tha se nuk ka 300 euro por duhet zbritur në 250 dhe moment kur ne si Sindikatë e kemi marrë vesh këtë, kemi bërë bllokimin e shkollave dhe u detyruam ta kthenim në pagën e punëtorëve në 300 euro, po flasim për kontraktuesit e rinj dhe çka kanë bërë tash”, thekson Jusuf Azemi për Gazeta Blic.

Ai shton se më pas u ankua dikush nga kompanitë dhe kështu nënshkrimi i kontraktimit të kompanisë mund të vonohet.

“Në moment kur doli kontrata me 300 euro, dikush nga kompanitë është ankuar dhe këto çështje kur ankohen është dashur ta ketë parasysh komuna pasi nuk janë njerëz amaterë por punojnë që 20 vjet dhe e kanë ditur që mund të ankohet dikush dhe mund të vonohet nënshkrimi i saj”, shprehet Azemi.

Sipas tij, janë 16 shkolla dhe se fëmijët mund të infektohen nga papastërtia, derisa thotë se pushtetarë do ta kishin “vrarë” veten nga nervoza nëse do të kishin gjendje të tillë për higjienën.

“Realisht unë nuk e di, sepse po t’ua kishim lënë pushtetarëve ambientet pa fshirë, do ta kishin “vrarë” veten nga nervoza, kurse kushedi sa mijëra nxënës janë pa higjienë, që ata çdo kohë dhe çdo moment mund të infektohen dhe për këtë nuk shqetësohet askush. Janë diku rreth 16 shkolla”, deklaron Azemi.

Lidhur me një afat se kur mund të arrihet marrëveshja dhe të rinisin punën punëtorët teknikë, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës thotë se mund të vonojë deri në 6 muaj.

“Afat këta nuk kanë kurrë sepse janë tipa të tillë. Punëtorët do të duhej të fillonin punën me 1 prill, me kontrata të reja. Tani sipas procedurave të reja, mund të kalojnë edhe 30 ditë dhe të mos dihet kontraktuesi përfundimtar por s’ka vendim sepse mund të shkojë edhe në 6 muaj dhe të vazhdojë kështu”, shton Azemi.

Ai madje tregon se disa drejtorë në disa shkolla kanë kërkuar që sindikata t’i lejojë që të marrin para nga njerëzit, nga qytetarët, që t’ua bëjnë rrogat punëtorëve të pastrimit, por që ka refuzuar.

“Në disa shkolla, drejtorët e kanë kërkuar pëlqimin tonë e ne nuk e kemi dhënë, kanë kërkuar leje që të marrin para nga njerëzit, nga qytetarët, që t’ua bëjnë rrogat punëtorëve të pastrimit dhe ne gjithçka që është joligjore nuk merremi me të”, përfundon Jusuf Azemi./GazetaBlic/