Lajme

16 ditët e aktivizmit, MD-së i kërkohet funksionalizimi i mekanizmave që luftojnë dhunën

12/02/2024 09:54
nga:N K

Nga e hëna, kanë filluar 16 –të ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore.

Kjo organizohet nën patronatin e Ministrisë së Drejtësisë.

Shërbimet e ndryshme për mbajtjen e aktiviteteve përgjatë këtyre ditëve, këtij dikasteri i kanë kushtuar mbi 21 mijë euro.

Por, fokus i institucioneve publike, respektivisht i Ministrisë së Drejtësisë, kërkohet të jenë jo vetëm fjalët por punët në teren sa i përket rasteve të dhunës.

“Sot sistemi nuk është funksional në mënyrë që t’i mbrojmë gratë nga dhuna në familje, por më shumë po mjaftohen me deklarata, me komunikata, me konferenca e tryeza, të cilat në njëfarë mënyre po e shpjegojnë, po e tregojnë problemin, por që i njëjti problem, dhuna në familje e vrasja e grave po vazhdon, dhe rastet e vrasjeve në familje po rriten çdo vit e më shumë”, thotë Ehat Miftaraj nga IKD, për tëvë1.

Bazuar me gjendjen në teren, ku për 10 muaj të këtij viti ishin 2585 raste të dhunës në familje, konsiderohet se duhet të bëhet më shumë në zbatueshmërinë e mekanizmave ekzistues.

“Janë propozuar disa zgjidhje ligjore të cilat do të ndikonin në parandalimin e kësaj dukurie, ku ne si KMDLNJ mendojmë se nuk do të jenë efikase, sespe po qe se do të zbatoheshin si duhet mekanizmat ekzistues ligjor që sanksionojnë dhunën në baza gjinore, atëherë nuk do të kishte nevojë fare që të propozohen të tjera zgjidhje”, thotw Behxhet Shala nga KMDLNJ.

16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, janë organizim i përvitshëm.