Nga 1 prilli është paralajmëruar rritje e çmimit të energjisë elektrike prej 14 për qind.
Në këtë krizë ekonomike për vendin, nëse kjo bëhet, do të jetë një barrë më shumë për qytetarët e Kosovës .
Rritja e çmimit të energjisë është propozuar nga ZRRE, por që më pas do të ketë komente nga Qeveria, Zyra e Presidencës dhe institucionet tjera relevante, e nëse ka komente të arsyeshme që e kundërshtojnë atëherë nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë.
Lidhur me këtë, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, njëherësh deputet i PDK-së, Ferat Shala, thotë për Gazeta Blic se nuk mund të interferojë në vend derisa ende nuk është final dhe është fazë konsultative e ZRRE-së, por që ky propozim është në balanc me shkallën e inflacionit në Kosovë, që është rreth 14 për qind.

“Derisa nuk është një vendim final, nuk do të doja të interpretoja sepse janë në fazën konsultative ZRRE dhe është kulturë e përgjithshme e institucioneve dhe e imja si kryetar i Komisionit që të mos interferoj në pjesën e vendimmarrjes. Sidoqoftë, gjendja ekonomike reale në Kosovë është e tillë që i ekspozohet një inflacioni të skajshëm, e që në këtë rast propozimi i ZRRE-së është vetëm balanc me shkallën e lartë të inflacionit, pra edhe inflacionin e kemi rreth 14 për qind e kjo problematikë apo orvatje për ta ngritur çmimin e energjisë është 100 për qind në linjë me shkallën e inflacionit që kanë kompanitë energjetike”, thotë ai.
Sipas deputetit, ideja është në drejtim të ruajtjes së gjendjes ekonomike të kompanive, por që do të duhej të merresh parasysh edhe gjendja e konsumatorit, pasi kjo ngritje rëndon shumë gjendjen e ekonomisë familjare.
“Pra, në këtë rast shihet që ideja po shkon në drejtim të ruajtjes së gjendjes ekonomike të kompanive, për ta balancuar çështjen e inflacionit por që konsideroj se do të duhej të merrej parasysh edhe gjendja e konsumatorit, e taksapaguesve, gjendja e shoqërisë tonë e cila po i nënshtrohet të njëjtit inflacion, të njëjtës shkallë të inflacionit. Pra kjo ngritje e rëndon shumë gjendjen e ekonomisë familjare, ndërsa e balancon shkallën e inflacionit për kompanitë energjetike”, thekson Shala për Gazeta Blic.
Ai vlerëson se do të duhej të gjendje një mundësi që shkalla e inflacionit të mos ndikojë në ekonominë familjare dhe se është edhe obligim ligjor e kushtetues ZRRE që ta ruajë konsumatorin.
“Parimisht, e dëshirueshme do të ishte që shkalla e inflacionit të mos ndikonte te ekonomitë familjare dhe do të duhej të gjendej metodologji, praktikë dhe mundësi që konsumatori të ruhet, të mos cenohet ekonomia familjare, e në çfarë forme duhet të bëhet është përgjegjësi e institucionit që merr vendim. E ka edhe obligim ligjor dhe kushtetues ruajtjen e konsumatorit”, deklaron deputeti Ferat Shala.
Ndërsa, deputetja e Grupit Parlamentar të VV-së, njëherësh anëtare e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, thotë për Gazeta Blic se kjo është kosto e furnizimit me energji elektrike që duhet kompensuar.

“Parimisht rregullatori e bën mbledhjen e kostos së furnizimit me energji elektrike, edhe padyshim që ajo energji që u është shërbyer qytetarëve të Kosovës, duhet kompensuar. Në kuadër të tarifave ose kalkulimit të tyre të tarifave kostoja është më e lartë sepse parashikimet e bëra nga vetë ZRRE, kjo pastaj ndikon në tarifë në mënyrë që furnitori atë që e ka shpenzuar, të jetë në gjendje edhe ta merr prapa. Kjo mendoj që është një lloj formule ose qasje bazë të cilën e ka ZRRE në kuadër të adaptimit të tarifave, të cilat reflektojnë koston në raport me furnizimin me energji elektrik, mirëpo situatë të tillë kemi pasur edhe vitin e kaluar”, shprehet ajo.
Ajo thekson se që nga viti i kaluar është ditur se do këtë vit do të kemi tarifa shumë më të mirat, por që qeveria ndërhyri me subvencion, në mënyrë që t’ua lehtësojë qytetarëve.
“E dimë që vitin e kaluar kostoja e importit ndikoi që vitin e ardhshëm të kemi tarifa shumë më të larta, mirëpo ne pamë që edhe përmes komenteve tona dërguar si Grup Parlamentar, po edhe nga komentet dërguar nga ana e ministrisë së ekonomisë e asaj të financave, patëm dhe një intervenim nga ana e qeverisë ku u ndërhy me një subvencion, në mënyrë që ajo kosto që do t’u bartej qytetarëve të ndahet në mes të qeverisë dhe qytetarëve”, thekson deputetja për Gazeta Blic.
Ajo potencon se mund të kemi një rrethanë të ngjashme edhe tani, që qeveria të vazhdojë me subvencionimin e kësaj rritje konform krizës energjetike.
“Potencialisht mund të kemi një rrethanë të ngjashme, ku qeveria mund të vazhdojë me subvencionimin e kësaj rritje konform situatës së krizës energjetike. Jemi shumë të vetëdijshëm që në raport me sektorin e energjisë është ende jostabil, për shkak edhe të rrethanave gjeopolitike dhe varësisë ndaj importit që ka Kosova, por kjo besoj që pastaj do të rishikohet edhe nga ana e mekanizmave qeveritarë për të parë si mund të veprohet tutje. Proceduralisht kostoja e energjisë së importuar padyshim që duhet të reflektojë në tarifa, pastaj edhe mbetet të shihet edhe nga ana e qeverisë mundësia se si mund të ndihmohet që kjo barrë tërësisht të mos i bie qytetarit”, vlerëson Statovci.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Pal Lekaj, thotë se ai dhe AAK kanë qenë kritikues ndaj vendimeve të ZRRE-së, që thotë se është nën kompetencë të Qeverisë.

“Lidhur me çdo veprim të ZRRE-së, ne si AAK dhe unë si deputet në komisionin për Ekonomi, kemi qenë shumë kritikues për vendimet e tyre kundër qytetarëve të Kosovës. ZRRE nën kompetenca të Qeverisë ka rritur para një viti çmimin e energjisë, ku po të njëjtit në vazhdimësi ua kanë paguar faturën e energjisë komunave serbe dhe atë faturë ia kanë obliguar qytetarëve kosovarë. Ne për këtë para 1 viti kemi kërkuar shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, gjë që nuk është përkrahur nga Qeveria dhe shumica parlamentare”, thotë ai për Gazeta Blic.
Lekaj tregon se edhe para një muaji kur ZRRE ka planifikuar rritjen nga prilli, ka qenë kundër kësaj.
“Para një muaji kur erdhën në raportim ZRRE, ata treguan që po rishikonin strategjitë dhe planet e tyre, ku mes të tjerash treguan që po planifikojnë ta rrisin prapë energjinë për 14%, në dëm të qytetarëve të Kosovës. Unë prapë e kam kundërshtuar fuqishëm, madje ju kam thënë që në këtë rishikim të strategjive dhe vendimeve prita kthimin e çmimeve të energjisë e jo rritje të dytë të çmimit, madje 14%”, potencon ai.
Deputeti i AAK-së shton se rritja e çmimit të energjisë ka ndikuar për keq në mirëqenien e qytetarëve dhe është për keqardhje që Qeveria nuk po mendon për krizën ekonomike dhe sociale të qytetarëve të vendit.
“Rritja e çmimit të energjisë, vërtet ka ndikuar për keq në mirëqenien e qytetarëve, sepse me paratë që një qytetar ka planifikuar të blejë mallra dhe produkte për ekzistencë, tani duhet që një pjesë të madhe t’i ndajë për energji elektrike. Kjo është për keqardhje nga ana e Qeverisë, sepse nuk po mendohet për krizën ekonomike dhe sociale të banorëve të shtetit tonë. Më e keqja është se i kanë numrat, e kanë pushtetin absolut dhe realisht po bëjnë çfarë po duan me qytetarët, madje nuk japin asnjë llogaridhënie para askujt”, deklaron Lekaj për Gazeta Blic.
Ai thekson se si opozita do ta kundërshtojnë këtë përmes mjeteve demokratike, teksa ka thënë se qytetarët duhet t’ia tregojnë vendin qeverisë përmes votës së tyre.
“Ne do të mundohemi që si opozitë, përmes mjeteve demokratike të reagojmë dhe kundërshtojmë padrejtësitë dhe keqmenaxhimin qeveritar. Por, realisht vetëm qytetarët e kanë fuqinë që me votën e tyre, t’ia tregojnë vendin kësaj qeverie. Kërkojmë ndihmën e tyre që përmes reagimeve dhe mjeteve paqësore siç është protesta që të kundërshtojmë keqqeverisjen. Ne ju qëndrojmë mbrapa në çfarëdo iniciative dhe veprimi demokratik që ata mendojnë se është e drejtë”, përfundon deputeti Pal Lekaj./Gazeta Blic/


