Trajneri kosovar, Tahir Batatina për GazetaBlic Sport ka komentuar ecurinë e Llapit pas përfundimit të gjysmës së parë të sezonit në Superligën e Kosovës.
Batatina potencoi se lufta për titull është rihapur sërish pas rezultateve të fundit të Ballkanit, kurse pret që ky vit të ofroj luftën më të madhe për titull në vend.
“Fakti që ecuria e Llapit dhe Dritës ka progres kurse Ballkani ka rënie tregon që lufta është hapur për titullin e kampionit, duke e ditur që tre skuadrat jemi afër me cilësi dhe organizim. Ndeshjet e fundit të Ballkanit i kanë hapur rrugën Dritës dhe Llapit që të jenë më të furishëm në pjesën tjetër të sezonit, do të bëjmë maksimumin si skuadrë kemi një organizim të jashtëzakonshëm në ekip, komponimi po vërehet që është në ngritje dita ditës. Mendoj që mund të jetë lufta më e ashpër për titull që ka parë Kosova në kampionatet e fundit”, tha fillimisht Batatina për GazetaBlic Sport.
Tutje Batatina deklaroi se nuk do ketë largime nga Llapi pavarësisht interesimeve të klubeve të huaja për emra si Muhamet Hyseni dhe Ilir Krasniqi. Batatina siguron që lojtarët do të qëndrojnë deri në fund të sezonit duke pasur parasysh ecurinë e Llapit në kampionat.
“Sa i përket largimeve, në këtë merkato nuk do ketë largime. Po bëhen biseda me Muhametin dhe Ilirin, ata nuk do lëvizin në këtë merkato për shkak të objektivave që ka Llapi përpara. Do të presim edhe një lojtar që t’i bashkohet Llapit, pasi kemi pothuajse për çdo repart kemi nga dy lojtarë, nuk kemi nevojë për të bërë merkato, nëse afrohet ndonjë lojtarë shumë shumë cilësor përveç Lendritit do ta afrojmë në skuadër, përndryshe nuk na duhen përforcime. Mund të ketë një largim për të cilin edhe atë kam opsion për ta zëvendësuar përndryshe kjo do jetë merkato e Llapit”, shtoi trajneri i Llapit.
Batatina u shpreh krenar që po prodhon lojtarë për Kombëtaren e Kosovës dhe tregun ndërkombëtar.
“Nëse shohim në vazhdimësi prej se kam marrë Llapin kanë dalur shumë emra që luajnë edhe në Superligën e Kosovës si titullar por edhe jashtë vendit. Si trajner i përcjell talentat i shoh se ku janë marr informacione për ta. I shoh të gjithë lojtarët nga gjenerata U17 e tutje dhe kur shoh që ka potencial i promovoj. Nuk jam mendjemadh që mos t’i shoh lojtarët. Komunikoj me shumë trajnera dhe marrë informata për ta. Keni parë së fundmi Gashijanin, performanca e tij edhe te Kosova ishte jashtëzakonshme. Kemi përgatitur shumë mirë akademinë e klubit, po dalin shumë talenta si Albion Miftari një super mesfushor i krahut të djathtë dhe emra të tjerë që shumë shpejt do t’i shihni në Superligë si titullar. Si përfundim është se kam shumë besim te lojtarët dhe talentat me të cilët punoj shumë”, përfundoi ai për GazetaBlic Sport.