Lajme

13 persona të vdekur nga i nxehti në Indi

04/18/2023 15:19
nga:Y I

Të paktën 13 persona kanë vdekur nga nxehtësia në shtetin perëndimor Maharashtra të Indisë, pasi morën pjesë në një ceremoni shtetërore të ndarjes së çmimeve të dielën.

Në Navi Mumbai, qyteti ku u mbajt ceremonia, nga 50 deri në 60 persona u shtruan në spital, sipas një zyrtari të policisë së qytetit, i cili kërkoi të mos përmendet pasi nuk është i autorizuar të flasë për mediat, shkruan CNN.

Numri i përgjithshëm i të prekurve nga temperaturat e larta në këtë ngjarje besohet të jetë shumë më i lartë, pasi shumë mund të kenë kërkuar kujdes mjekësor në rrethin e tyre lokal.

Zyrtari i policisë i tha CNN të martën se mbi 1 milion njerëz morën pjesë në ceremoninë për Maharashtra Bhushan, përderisa qeveria e shtetit do të sigurojë 500,000 rupi (6,095 dollarë) në kompensim për familjet e viktimave dhe do të mbulojë shpenzimet mjekësore të atyre që i nënshtrohen trajtimit, sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit të Maharashtra, Eknath Shinde.

Në deklaratë, Shinde i përshkroi vdekjet pas ceremonisë si “shumë të dhimbshme dhe fatkeqe”.

Gjatë aktivitetit, i ftuari i nderit, Ministri i Brendshëm Amit Shah, vlerësoi turmën për guximin ndaj temperaturave 42C për të marrë pjesë në ceremoninë në natyrë.

Temperaturat në Indi pritet të mbeten të larta edhe këtë javë sipas Departamentit Meteorologjik të Indisë.