Autoritetet e Malit të Zi kanë dalë sot me detaje lidhur me tragjedinë e mbrëmshme në Cetinje, ku 45-vjeçari Aco Martinoviq vrau 12 persona, përfshirë edhe dy fëmijë, dhe më pas qëlloi veten.
Sipas deklaratës së Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Policisë në Mal të Zi, Lazar Shqepanoviq, Martinoviq i ka kryer këto vrasje brenda 30 minutash. Vrasjet janë kryer në pesë lokacione të ndryshme – në lokacionin e parë dhe të dytë janë vrarë katër persona, në të tretin dy fëmijë, ndërsa në lokacionin e katërt dhe të pestë nga një person, përcjell Reporteri.net.
Për vrasjet e para që u kryen në tavernën ku filloi përplasja, Policia është informuar nga qytetatarët në orën 17:26, derisa vrasja e fundit është denoncuar në orën 17: 57, raporton “Vijesti”.
Shqepanoviq ka sqaruar se të vrarë kanë mbetur dy fëmijë, tri gra dhe shtatë burra. Ai ka deklaruar se shumica e viktimave ishin anëtarë të familjes së Martinoviqit, kumbarë apo miq të tij.
Sipas tij, në vendet ku janë kryer vrasjet janë gjetur 37 gëzhoja, nëntë predha dhe 11 pjesë predhash.
Shqepanoviq ka thënë se gjatë bastisjes së Martinoviqit në nëntor të vitit 2022, kishin vërejtur sjellje antisociale dhe e kishin drejtuar atë në Ministrinë e Shëndetësisë, por se ai nuk ishte shtruar në spital, vetëm i ishte përshkruar terapia.
Martinoviq ka qëlluar veten rreth orës 23:35 dhe ka vdekur rrugës për në spital.
U.d i Drejtorit të Policisë ka treguar edhe çka kanë gjetur tek Martinoviq.
“Me atë rast vrasësit i janë gjetur një armë me një plumb në tytë, dhjetë fishekë në kornizë dhe gjatë kontrollit të garderobës janë gjetur 64 fishekë dhe korniza e armës me 15 fishekë të tjerë”, tha Shqepanoviq. tha.
“Mendimet tona janë me familjet e të vrarëve dhe të plagosurve në Cetinje”, ka deklaruar Shqepanoviq.
Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Danillo Sharanoviq, ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i vrasjeve është i panjohur, pasi në mesin e viktimave ishin miq dhe kumbara e Martinoviqit.
Kryeministri malazez, Millojko Spajiq e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme.
Ai ka paralajmëruar ashpërsimin e kritereve për mbajtjen e armëve.
“Do të shqyrtojmë ndalimin e plotë të mbajtjes së armëve,” ka thënë Spajiq.
Martinoviq ishte dënuar me një vit burgim me kusht në vitin 2005 për sjellje jo të mirë, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë, ka thënë ministri Sharanoviq.
Ai ka treguar se në vitin 2022 tek ai janë gjetur armë dhe eksploziv, për çka është dënuar në shkallën e parë me tre muaj burgim.
Ky është rasti i dytë i vrasjes masive në Cetinje në dy vjetët e fundit.
Në gusht të vitit 2022, Vuk Boriloviq pati vrarë 10 persona dhe pati plagosur gjashtë të tjerë, dhe më pas është vrarë.