Lajme

12 vjet në kampet e Sirisë, shqiptarja Eva Dumani kthehet në Shqipëri

02/14/2026 19:44
nga:Sh R

Autoritetet shqiptare kanë arritur që të kthejnë në Shqipëri Eva Dumanin, e cila prej vitesh ndodhej në një kamp në Siri. Operacioni u krye në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Eva Dumani ka mbërritur paraditen e sotme, 14 shkurt, në aeroportin e Rinasit, pas transferimit nga Turqia, njoftojnë mediat shqiptare.

E reja kishte refuzuar më herët që të largohej nga kampi sirian. Në misionin e mëparshëm, u rikthye në vend vëllai i saj, Endri.

Sipas raportimit në këtë proces janë përfshirë Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Policinë e Shtetit dhe zyrtarë të strukturave kundër terrorizmit, në bashkëpunim me autoritetet turke.

Eva kishte refuzuar më herët që të riatdhesohej. Në një mesazh zanor që iu kishte dërguar dikur të afërmve, ajo thoshte: “Kam vendosur të mos kthehem më. Talhen (Endrin) e çova, merre ti. Ka një çantë blu amanet”, duke iu referuar vëllait që u riatdhesua më herët.

Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 8 dhe 6 vjeç kur babi i tyre i rrëmbeu drejt Sirisë për t’iu bashkuar xhihadistëve në shtetin islamik. Gjyshja e tyre shkoi atje për të tërhequr fëmijët pas vrasjes së të atit, por dha shpirt e burgosur në kamp.