Rusia po rekruton sirianë dhe luftëtarë të tjerë të huaj, përderisa po përshkallëzon sulmet ushtarake ndaj Ukrainës, kanë deklaruarzyrtarë në Pentagon, ka raportuar agjencia e lajmeve, AFP.
Moska u përfshi në luftën civile në Siri në vitin 2015, duke u rreshtuar përkrah forcave të regjimit të Presidentit Bashar Al Assad.
Zyrtarët e Ministrisë amerikane të Mbrojtjes deklaruan se presidenti rus, Vladimir Putin, është “në një mision rekrutimi” në dëshirën për të dërguar një numër të luftëtarëve sirianë për të luftuar përkrah forcave ruse në Ukrainë.
Sipas “Wall Street Journal”, zyrtarët amerikanë theksuan se Rusia, e cila filloi pushtimin e fqinjit të saj më 24 shkurt , ditëve të fundit ka rekrutuar luftëtarë nga Siria, me shpresën se ata do të jenë në gjendje të ndihmojnë në përpjekjet për të pushtuar Kievin.
Një zyrtar i tha të përditshmes amerikane se disa luftëtarë janë tashmë në Rusi dhe gati për të shkuar në Ukrainë, edhe pse ende nuk dihet numri I saktë I luftëtarëve të rekrutuar sirianë.
“Ne besojmë në raportet se rusët po tentojnë që nepërmjet luftëtarëve sirianë të rrisin numrin e forcave të tyre në Ukrainë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.


