Lajme

Nga nesër në Kosovë fillon dhënia e dozës së tretë dhe asaj përforcuese të vaksinës anti-Covid

12/08/2021 10:09
nga:M K

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që nga nesër në Kosovë të administrojë edhe dozën e tretë e vaksinës Anti-COVID. Doza e tretë do të jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Komiteti për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19 në takimin e mbajtur dje, në funksion të zbatimit të Planit të përditësuar për vaksinimin në masë të qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19, ka vendosur që duke filluar nga nesër (09.12.2021) të fillohet me administrimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në popullatë.

KOMUNIKATA E PLOTË

“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë. Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas MSH’së, dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.

Qytetarët do të njoftohen për datat e vaksinimit përmes SMS, – emaili dhe njoftimeve publike.

Duke konsideruar që vaksinimi është mënyra më efektive për të kufizuar dhe ndërprerë përhapjen e virusit dhe për të arritur mbrojtjen e popullatës, Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë qendrat dhe ekipet mobile të vaksinimit kudo në Kosovë për t’u vaksinuar sa më parë kundër COVID-19.