Është viti i katërt që presidentja Vjosa Osmani nuk është duke e shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese që t’i fal të burgosurit, pavarësisht numri i kërkesave për falje në vitin 2024 ka arritur 105 kërkesa për falje.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, avokati Ardian Bajraktari, thotë se falja e të burgosurve është njëra nga kompetencat kushtetuese të presidentës.
“Me falje personit të caktuar me emër u jepet lirimi i plot ose i pjesërishëm nga ekzekutimi i dënimit, zëvendësimi i dënimit me një dënim më të butë apo dënimi me kusht ose shlyerja e dënimit.Falja është njëra nga kompetencat kushtetuese të presidentit/es se shtetit e përcaktuar me nenin 84, paragrafi 29 të kushtetutës, sipas të cilës theksohet se Presidenti i Republikës së Kosovës shpall falje individuale, në pajtim me ligjin, kurse çështja e të drejtës për të kërkuar faljen, kriteret dhe procedura, janë të rregulluara me Ligjin për Falje të vitit 2009”, tha ai.
Ndër të tjera ai thotë se mos shfrytëzimi i kësaj kompetence kushtetuese nga ana e presidentës nuk është në rregull, pasi është dekurajim i burgosurve për sjellje të mirë.
“Falja si kompetencë e institucionit të precedentit/es, viteve të fundit nuk po shfrytëzohet, në tri katër vitet e fundit, nuk di të jetë falur ndonjë i burgosur, çka vlerësoj se mos shfrytëzimi i kësaj kompetence kushtetuese nga ana e institucionit të presidentit nuk është në rregull për faktin se është dekurajim i të burgosurve për sjellje të mirë. Instituti i faljes së të burgosurve, natyrisht se ka ndikim dhe është motivim shtesë për të burgosurit që gjatë mbajtjes së dënimit të kenë sjellje të mirë, e sjellja e mirë natyrisht që ka efekt së risocializimin dhe riedukimin e tyre, që pas përfundimit të dënimit të njëjtit të riktherhehen si persona të dobishëm në shoqëri, e që është edhe qëllimi i dënimit”, u shpreh Bajraktari.
Bekim Kupina, Këshilltar për Media në Presidencë, në një prononcim për GazetaBlic, ka thënë se deri tani janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni, pas kompletimit të tyre me informata shtesë.
Kupina tutje thotë se Komisioni për Falje ka rekomanduar një rast për falje, dhe ky rekomandim është duke u shqyrtuar nga Presidenca.
“Gjatë vitit 2024 janë pranuar njëqind e pesë (105) kërkesa për falje të personave të dënuar të cilat janë duke u shqyrtuar nga Komisioni për Falje. Deri tani janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë (89) kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë (16) prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni, pas kompletimit të tyre me informata shtesë. Këtë vit Komisioni për Falje ka rekomanduar për falje një (1) të dënuar, dhe ky rekomandim është në procedurë të shqyrtimit nga Presidenca”, tha Kupina për GazetaBlic.