Lajme

100 eurot e Kurtit për fëmijë e pensionistë/ Njohësi i ekonomisë: Kryekëput për qëllime elektorale – s’do të kenë asnjë efekt

12/23/2024 14:18
nga:G B

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Arton Muhaxheri, ka komentuar vendimin e Qeverisë për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët deri në 16 vjeç.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic thotë se çdo ndihmë është e mirëseardhur por nuk garanton përmirësim të qëndrueshëm të mirëqenies për këto kategori.

“Kjo është hera e dytë që Qeveria e Kosovës ndan nga 100 euro të njëhershme për dy kategori të ndjeshme të shoqërisë: pensionistët dhe fëmijët. Çdo ndihmë, sado simbolike, është e mirëseardhur, por fakti që kjo është një masë e njëhershme nuk garanton një përmirësim të qëndrueshëm të mirëqenies për asnjërën prej këtyre kategorive. Mund të thuhet lirisht se këto janë politika ad hoc, të cilat u mungon analiza e mirëfilltë për mënyrën e shpërndarjes dhe efektin e tyre”, ka theksuar ai.

Sipas Muahxherit, vendimi është për qëllime elektorale por që nuk do të prodhojë efekt elektorale për partinë në pushtet.

“Po, shpërndarja e këtyre mjeteve është kryekëput për qëllime elektorale dhe nuk ka asnjë efekt tjetër domethënës. E njëjta qasje u pa edhe vitin e kaluar, kur flitej për zgjedhje të parakohshme. Besoj se ndarja e 100 eurove, përveçse nuk do të ketë ndonjë ndikim të rëndësishëm ekonomik, nuk do të arrijë më as të prodhojë efekt elektoral për partinë në pushtet”, ka potencuar ekonomisti për Gazeta Blic.

Ai vlerëson se ndihma do të ketë ndikim afatshkurtër, andaj thotë se këto politika qeveritare duhet të ndalen dhe të zhvillohen politika të qëndrueshme ekonomike.

“Kjo ndihmë do të ketë ndikim vetëm afatshkurtër, sepse është e njëhershme dhe efektet e saj do të jenë po aq të kufizuara sa dhe vetë shpërndarja. Nuk mendoj se fëmijët, pensionistët dhe familjet kosovare duhet të mësohen të presin ndihma simbolike prej 100 eurosh një herë në vit. Në krahasim me jetën e shtrenjtë në Kosovë, kjo shumë është tepër e vogël. Për më tepër, ka gjasa që një pjesë e madhe e këtyre mjeteve të përfundojë e shpenzuar jashtë Kosovës. Prandaj, konsideroj se këto politika afatshkurtra qeveritare duhet të ndalen, dhe në vend të tyre, duhet të zhvillohen politika të qëndrueshme ekonomike që u përmirësojnë jetën pensionistëve, fëmijëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ekonomisti Arton Muahxheri./Gazeta Blic/