Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur kur një zjarr përfshiu banesat e punëtorëve të huaj në kryeqytetin e Maldiveve, Male.
Zyrtarët nga qendra e zjarrfikësve thanë të enjten se 10 trupa të pajetë u gjetën në katin e sipërm të një ndërtese të shkatërruar nga zjarri, i cili erdhi nga një garazh për riparimin e automjeteve në katin e parë.
“Ne kemi gjetur 10 trupa”, tha një zyrtar i shërbimit zjarrfikës, duke shtuar se atyre iu deshën rreth katër orë për të shuar zjarrin.
Një zyrtar i sigurisë tha se të vdekurit përfshinin nëntë indianë dhe një shtetas Bangladesh, shkruan Al Jazeera, transmeton Klankosova.tv.
Partitë politike në Maldive kanë kritikuar më parë kushtet e jetesës për punëtorët e huaj, të cilët mendohet se përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë prej 250 mijë banorësh dhe janë kryesisht nga Bangladeshi, India, Nepali, Pakistani dhe Shri Lanka.
Kushtet e tyre të këqija të jetesës u zbuluan edhe gjatë pandemisë COVID-19 kur infeksioni u përhap tre herë më shpejt në mesin e punëtorëve të huaj në krahasim me vendasit.


