Sot është shënuar 1 vjetori i qeverisë Kurti, raporton GazetaBlic.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku një vjetorin e qeverisë Kurti e ka quajtur “PAAFTËSI”.
Abdixhiku përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” u shpreh se ky vit qeverisës, është përcjellë me popullizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara e mungesë të qartë të vizionit zhvillimor për Kosovën.
Abdixhiku ka komentuar edhe politikën e jashtme duke thënë se është karakterizuar nga skandale me dëme të pa riparueshme për pozitën e vendit.
POSTIMI I PLOTË:
1 VIT PAAFTËSI
Sot, në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës prezantuam pikëpamjet tona mbi 12 dështimet më të mëdha të Qeverisë 1 vjeçare të Kurtit.
Prezantuam deshtimet qeveritare në krizën energjetike; krizën e çmimeve; mosgazifikimin e Kosovës, politikën e jashtme të izoluar, kapjen nepotike të ndërmarrjeve publike, mosfunksionalizimin e institucioneve të pavarura, mosefikasitetin e Kuvendit, politizimin e vetingut; keqmenaxhimin shëndetësor e pandemik; stagnimin ekonomik; si dhe sulmet ndaj mediave si praktikë e zakonshme tashmë.
Ky vit qeverisës, është përcjellë me popullizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara e mungesë të qartë të vizionit zhvillimor për Kosovën. Është përcjellë dhe me braktisje të kauzave themeltare të ngritjes në pushtet; siç është përcjellë me braktisje të halleve e nevojave të qytetarëve në secilën krizë me të cilën është ballafaquar për një vit.
Nga kriza e pandemisë, tek ajo e energjetikës e deri tek rritja alarmante e çmimeve – Qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët tanë, dhe në betejën e tyre me përballueshmërinë, të sillet si vështruese e krizave. Ajo ka dështuar të reagojë me kohë; siç ka refuzuar të ndërmarrë masa adekuate që do të zbusnin secilën krizë.
Kjo qeveri, në paaftësinë e saj vepruese për qytetarë, megjithatë ka qenë e aftë të kapë borde, kompani publike e institucione të pavarura me të afërm e familjarë. Kapja e këtyre institucioneve jetike për funksionalizimin e shëndoshë të shoqërisë, ka rezultuar të jetë fatale në secilin ballafaqim me krizë.
Në politikë të jashtme, kjo qeveri është karakterizuar nga skandale me dëme të pa riparueshme për pozitën e vendit – me komunikime të turpshme e amatoreske dhe diskurs jo adekuat diplomatik. Mbi të gjitha, është karakterizuar me mungesë të takimeve të rëndësishme në nivel ndërkombëtar. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë; dhe në rrethanat e reja gjeopolitike, mosaktivizimi i Qeverisë tonë është humbje e jashtëzakonshme e mundësisë.
Në politikën e brendshme, Qeveria Kurti ka qenë sa arrogante aq edhe konfliktuoze. Në secilën përfshirje të saj, me institucionet e drejtësisë, me sindikatat e pavarura, me përfaqësuesit e biznesit, me trupat tjerë autonom – dhe me vet spektrin politik në vend, kjo qeveri ka dështuar të sigurojë konsensusin minimal për një demokraci të shëndoshë e prosperuese. Tendencat e saja kontrolluese prej pushtetit absolutist, janë përcjellë me sulme edhe ndaj medieve e ndaj fjalës së lirë.
Dëshpërimi qytetar me një qeverisje të tillë, përtej zërit votues në zgjedhjet lokale të 17 tetorit e 14 nëntorit, është përcjellë dhe me largim masiv të qytetarëve tanë, të të rinjve e të rejave, profesionistëve e punëtorëve nga Kosova. Sot, rreth 55% e kosovarëve konsiderojnë largimin nga Kosova; dhe ky fakt duhet të na shqetësojë të gjithë.


