Lajme

1 vit nga sulmi i Banjskës/ Ish diplomati: Kosova të insistojë për drejtësi – këto veprime është dashur të ndërmerren

09/24/2024 22:31
nga:G B

Është bërë një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri kosovar Afrim Bunjaku.

Lidhur me situatën një vit pas këtij sulmi, ish kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se situata në veri është e ndjeshme por e sigurt dhe me rritje të numrit të ushtarëve të NATO-s.

“Situata në veri është ende e ndjeshme por e sigurt. Pas Banjskës ka pasur një koncentrim shumë të madh të mekanizmave të sigurisë së Kosovës dhe rritje të madhe të trupave të NATO-s. Kjo e bën shumë të vështirë destabilizimin pavarësisht asaj se Serbia sipas burimeve të ndryshme ka vazhduar trajnimin e terroristëve për aksione tjera”, thotë ai.

Arifi ka folur dhe për atë se a pret që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin, teksa thotë se Kosova duhet të insistojë për drejtësi.

“Radoiçiq nuk është një terrorist apo kriminel i rëndomtë. Ai është krijesë e inteligjencës serbe dhe direkt e presidentit Vuçiç dhe kjo e komplikon dorëzimin e tij institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Ai është një lloj Prigozhini i vogël serb. Dorëzimi i tij do të demaskonte në tërësi strukturën dhe qasjen terroriste te regjimit aktual serb dhe kjo e bën të vështirë dorëzimin e tij. Kosova duhet të vazhdojë insistimin për drejtësi dhe po ashtu besoj që edhe vendet aleate janë në përkrahje të kësaj”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Se sa është bërë për një vit për sulmin e Banjskës, Arifi thekson se është dashur të ndërmerren disa veprime.

“Meqenëse ka pasur aktivitete të shumta nga institucionet, besoj se janë disa veprime që është dashur të ndërmerren:

  1. Nëse nuk është bërë diçka si duhet është se nuk është quajtur me epitetin që ka qenë sulmi:

Agresion i shtetit serb në Kosovë me metoda terroriste.

  1. Është dashur që të ftohet një komision ndërkombëtar në hetimin e rastit.

3) Kosova ka gabuar që nuk e ka shpallur Listën Serbe organizatë terroriste. Nuk është parti ajo kur nënkryetari i saj dhe një numër i madh i anëtarëve janë të përfshira në aktivitete terroriste siç ishte rasti me Listën Serbe.

  1. Ditën që u shpall aktakuza nga Prokuroria e Shtetit në vend se të shndërrohej kjo në lajm botëror, krerët e institucioneve më shumë merreshin me tema të brendshme, pra sulme ndaj Prokurorisë për aktakuzë të vonuar, se sa në publicitetin e akuzës kudo në botë”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/

Ish koloneli i FSK-së thotë se s’pritet dorëzimi i Radoiçiqit në Kosovë – këto janë arsyet

Drejtori i Policisë tregon se si u neutralizua kallashnikovi i një terroristi prej 800 metrash në Banjskë

“Armatimi ishte futur me automjete edhe atë natë”, Drejtori i Policisë jep detaje për sulmin në Banjskë