Lajme

1 Maji shoqërohet me protestë në Kosovë/ SBASHK: Të përmirësohen kushtet e punës!

04/30/2024 18:05
nga:Y I

Data 1 maj shënon Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Kjo ditë përkujtohet në shumë vende të botës gjithashtu edhe në Kosovë.

E nesër kjo ditë do të shoqërohet me protestë në vendin tonë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, (SBASHK) ka paralajmëruar protestë më 1 maj, me arsyetimin se qeveria ka qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se ndër të tjera kërkohet përmirësim i kushteve të punës pasi sipas tij me ‘shkumës dhe shpuzë’ vështirë të arrihet efekti i punës.

“Nesër me 1 maj do të kemi protestë në të cilën do të marrin pjesë vetëm udhëheqësit sindikalë, kryetarët e shoqatave sindikale dhe kërkesa kryesore drejtuar qeverisë do të jetë “Qeveri realizo kërkesat tona, parandalo veprimet tjera sindikale” dhe kërkesa tjetër do të jetë edhe kërkesa që të ketë dilog të mirfilltë social. Do të ketë kërkesë edhe për përmirësimin e kushteve të punës në shkollat tona ngase kushtet aktuale nuk e bëjnë shkollën në Kosovë, shkollë të shekullit 21, pra duhet të ndryshohen kushtet e punës. Me ‘shkumës dhe shpuzë’ vështirë të arrijmë atë që dëshirojmë, dije sa më të mira të nxënësve”

“Pjesë tjetër do të jetë që urgjentisht qeveria të lëvizë me koefiçientin e pagave, gjegjësisht të bëjë një ngritje së paku për 30% ngase ngritja që bëri nga 105 në 110 në vlerën e koefiçientit ishte një ngrtije ironike që solli një lëvizje page për vetëm 28 euro në arsimin parauniversitar” deklaroi Jasharaj për “Gazeta Blic”.

Jasharaj tha se edhe sektorët e tjerë kanë ankesa për mungesë dialogu nga ana e qeverisë.

“Sa i takon 1 maj si e gjen arsimin por jo vetëm, fatkeqësisht edhe në sektorë të tjerë kolegët sindikalistë ankohen pikërisht për mungesë dialogu dhe për qasjen e gabuar të qeverisë ndaj sindikatave. Kur ka dialog hapen mundësitë për realizimin gradual të kërkesave, ndërsa kur nuk ka dialog, atëherë anëtarësia është e natyrshme që kërkon edhe veprime të tjera e që në arsim nuk janë të mira. Nuk është problemi për protesta sepse zakonisht organizohen në ditët kur nuk ka mësim por uroj që qeveria ta lexojë drejt mesazhin dhe të fillojë me takimet ne me MASHTI dhe pastaj me qeverinë dhe në këtë mënyrë vërtet të dal ajo që kërkojmë, që të parandalohen veprime të tjera sindikale” deklaroi Jasharaj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.

Rrahman Jasharaj, Kryetar i SBASHK!

Manifestimi i 1 Majit që njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës, lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ” 8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

/Gazeta Blic/