Lajme

​Scholz, favoriti për kancelar të Gjermanisë përkrah ndalimet për të pavaksinuarit

12/04/2021 20:15
nga:M K

Olaf Scholz, i cili pritet të bëhet kancelari i ri i Gjermanisë javën e ardhshme, përkrahu sot ndalimet për të pavaksinuar nga pjesë të mëdha të jetës publike.

Scholz pranoi se kthimi i kufizimeve ishte i vështirë.

“Por, pikërisht sepse nuk jemi vaksinuar mjaftueshëm, ne duhet ta bëjmë përsëri”, tha ai në Berlin, në një konferencë të Partisë së tij Social-demokrate (SPD), ku delegatët dhanë miratimin e tyre për koalicionin e ri të qendrës së majtë të Scholz me të gjelbërit dhe FDP-në.

Scholz theksoi se restorantet, vendet kulturore dhe dyqanet e e shitjes me pakicë mund të mbeten të hapura sipas të ashtuquajturave ”rregulla 2G”, të cilat kufizojnë hyrjen vetëm për ata që janë vaksinuar ose të rikuperuar së fundmi nga Covid-19.

Ai e krahasoi situatën aktuale me dimrin e kaluar, kur mbylljet gjithëpërfshirëse ndikuan mbi të gjithë gjermanët.

“Tani ne mund të fokusohemi në rregulloret që synojnë ata që nuk kanë shfrytëzuar mundësinë për të mbrojtur veten”, tha ai, duke shtuar se një qasje e tillë ishte e justifikueshme pasi autoritetet kanë vepruar për të rritur numrin e vaksinave të ofruara kundër koronavirusit.

Scholz, i cili do të marrë postin nga politikania konservatore Angela Merkel, premtoi një “fushatë krejtësisht të re” në mënyrë që miliona njerëz të mund të vaksinohen “në këtë dhjetor”.

Udhëheqësit federalë dhe shtetërorë në Gjermani kanë vendosur një objektiv për të administruar deri në 30 milionë vaksina të para, të dyta dhe përforcuese deri në fund të vitit.