Është përuruar ura që lidhë Kamenicën me Bujanocin dhe Luginën e Preshevës, projekt ky që u implementua për më pak se tre muaj që prej vënies së gurthemelit.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati gjatë ceremonisë së përurimit këtë të mërkure tha se ndërtimi i kësaj ure do të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit mes dy komunave, derisa apeloi Qeverinë e Kosovës që të ketë në prioritet shqiptarët e Luginës.
Kastrati tha se ura në Breznicë dhe Karaçevë të Poshtme, do të lehtësojë qarkullimin dhe lëvizjen e qytetarëve të të dy anëve.
Përfundimin e këtij projekti e quajti “ditë të madhe” kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, i cili tha se ky projekt është i pari që realizohet mes Kosovës e Serbisë që nga paslufta.
Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshëvës, Ragmi Mustafa tha se këtë shembull të bashkëpunimit duhet ta ndjekin të gjithë, pasi që siç tha ai, vetëm përmes një vizioni të tillë ndihmohen qytetarët e Luginës.