Lajme

​Peci: Veprimi i sotëm është përpjekja më serioze për kthimin e dinjitetit të bujqve e fermerëve

06/30/2021 19:31
nga:M K

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka përshëndetur aksionin e sotëm në dikasterin që ai drejton, me ç’rast për keqpërdorime dhe korrupsion me subvencione u arrestuan 21 zyrtarë.

Përmes një statusi në Facebook, ministri Peci ka thënë se veprimi i sotëm është përpjekja më serioze për kthimin e dinjitetit të bujqve e fermerëve, të cilët ndër vite janë bërë pre e skemave mashtruese.

Peci ka inkurajuar fermerët dhe bujqit që të bashkëpunojnë me organet e rendit për ta denoncuar çdo veprim, i cili ka cenuar dhe dëmton punën dhe djersën e tyre.

“Subvencionet duhet të arrijnë te bujqit, por jo te keqpërdoruesit dhe mashtruesit”, ka thënë ai.

Ky është statusi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Përshëndes veprimin e organeve të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, të cilat në aksionin e sotëm goditën skemën e keqpërdorimeve financiare ndër vite në Ministrinë e Bujqësisë.

Veprimi i sotëm është përpjekja më serioze për kthimin e dinjitetit të bujqve e fermerëve, të cilët ndër vite janë bërë pre e skemave mashtruese.

Fermerët dhe bujqit i inkurajoj të bashkëpunojnë me organet e rendit për ta denoncuar çdo veprim, i cili ka cenuar dhe dëmton punën dhe djersën e tyre. Subvencionet duhet të arrijnë te bujqit, por jo te keqpërdoruesit dhe mashtruesit.

Duke ndarë subvencione për fermerë e bujq, pa ndërmjetësues e pa keqpërdorues do të mund ta sigurojmë një ambient dhe klimë të favorshme për këtë kategori jetike për shtetin.

Kjo që ndodhi sot është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi që këtë Ministri që është bërë e famshme shkaku i skemave kriminale t`ia rikthejmë reputacionin, besimin dhe imazhin që meriton, në mënyrë që ta vejmë ekskluzivisht në dobi të bujqve e fermerëve.