Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur sot manifestimin për shënimin e Ditës së Forcës.
Aty u tha se FSK nga ruajtëse e paqes së brendshme po shndërrohet në faktor të rëndësishëm të ruajtjes së sigurisë globale.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke uruar për Ditën e Forcës, tha se anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohen vazhdimisht.
“Jam po kaq e lumtur që nga nëntori i vitit të kaluar Forcat tona kanë zhvilluar një zhvillim të hovshëm duke u shndërruar nga ruajtës e paqes së brendshme në faktor të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale, si partner i besueshëm e i rëndësishëm i ushtrisë më të fuqishme në botë asaj të ShBA-ve dhe partnerëve të tjerë brenda aleancës me të fuqishme ushtarake atë të NATO-s. Muaj më parë pjesëtarët e FSK-së për herë të parë zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtarë në Kuvajt në kuadër të kontingjentit të gardës së Iowas. Ky ishte hapi i parë për të parë të realizuar mirënjohjen tone e tuajën për të qenë ndërtues dhe garantues të paqes”, tha ajo.
Osmani tha se furnizimi me pajisje ushtarake, të dhuruara dhe të blera janë dëshmi se Kosova po i ndërton kapacitetet e nevojshme për vendin.
“Në kohën që ne po e zhvillonim ushtrinë me forcat e NATO-s, fqinji ynë verior ishte si kërcënues i vazhdueshëm i paqes në rajon, po zhvillonte manovra me kërcënuesin tjetër global, Rusinë. Ushtria e Kosovës ka themele të fuqishme ngase është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë të sublimuar në sakrificën sublime të komandant Adem Jasharit dhe familjes Jashari në luftën e UÇK-së. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohemi vazhdimisht”, tha Osmani.