Lajme

​Në Suedi me leje për COVID-19 nga 1 dhjetori

11/17/2021 23:52
nga:M K

Nga 1 dhjetori do të prezantohet në Suedi një leje kalimi për ngjarje të brendshme me më shumë se 100 persona, njoftoi sot qeveria në Stokholm pas rritjes së numrit të të infektuarve rishtazi me koronavirus në Evropë, raporton AFP.

Suedia vendosi më parë të mos testonte qytetarët që kishin marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 nga 1 nëntori, por pas një sërë kritikash, ajo u tërhoq nga ky vendim.

Ministrja e Shëndetësisë Lena Halengren tha se Suedia, pavarësisht numrit të vogël të të infektuarve rishtazi në krahasim me shumë vende evropiane, “nuk është e izoluar nga pjesa tjetër e botës”.

Certifikatat e vaksinimit, të rekomanduara më parë nga autoritetet shëndetësore suedeze, përjashtojnë më të rinjtë dhe qeveria duhet ende të vendosë nëse pragu i moshës do të jetë 16 apo 18-vjeç.

Masa nuk vlen për restorantet dhe kafenetë dhe nuk është e detyrueshme, por organizatorët e eventeve me më shumë se 100 persona që nuk e zbatojnë atë mund të përballen me masa të tjera më të ashpra.

Në fillim të pandemisë, Suedia, ndryshe nga shumë vende, aplikoi një strategji rekomandimesh në vend të masave shtrënguese dhe karantinë dhe me përdorim të kufizuar të maskave në publik, dhe në fund të shtatorit u hoqën pothuajse të gjitha kufizimet kundër COVID-19, sepse fushata e vaksinimit ka përparuar.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Suedia ka një normë incidence prej 85.8 raste për 100.000 banorë në dy javët e fundit, një nga më të ulëtat në Evropë dhe dukshëm më e ulët se në vendet fqinje si Norvegjia dhe Danimarka.