Zgjedhjet Lokale

​Lladrovci: Drenasi do të vazhdojë të jetë bastion i PDK-së dhe qeverisjes së mirë

11/12/2021 21:25
nga:Y I

Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Komunën e Drenasit.

Aty u tha se Drenasi e Drenica do të vazhdojë të jetë bastion i PDK-së dhe qeverisjes së mirë.

Mbështetjen e qytetarëve të Drenasit edhe për një mandat e ka kërkuar kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, i cili tha se do të vazhdojë punët e mira për qytetarët e kësaj komune.

Para simpatizantëve të PDK-së, Lladrovci tha se Drenasi është zemra e PDK-së dhe se të dielën do të jepet mesazhi se janë unik.

“Jemi mbledhur këtu të ritheksojmë se vizioni i themeluesve të UÇK-së dhe PDK-së është më i fortë se kurrë, është vizion i fitores, është vizion i qeverisjes së mirë, është realitet i qytetarëve që meritojnë mirëqenie pa dallim, sepse ne e kemi paguar çmim të lartë për liri, kemi treguar se ne meritojmë lirinë, mirëqenien, arsimin dhe shëndetësinë shembullore, ne kemi punuar dhe do të punojmë, sepse ne e mbajmë fjalën. Idealet tona janë të lidhura ngushtë me qytetarin. Zhvillimin e meriton çdo qytetar, çdo njëri nga ju ka kontribut për qeverisje të mirë. Unë ju kam premtuar se do t’ju bëjë krenarë, unë këtë e kam realizuar kur është shpallur Drenasi komuna me qeverisjen më të mirë në vend”, tha Lladrovci.

Pretendenti për të udhëhequr edhe një mandat me Drenasin, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve, për siç tha si, të vazhdojnë të mbeten komunë kampione për qeverisje të mirë.

“Unë kërkoj nga ju të vazhdojmë të jemi komuna kampionë, të vazhdojmë të përmbyllim misionin tonë për mirëqenie pa dallim për të vazhduar, të jemi kampionë me transparencë e llogaridhënie. Kërkojë nga ju të jemi unikë edhe më 14 nëntor ta dëshmojmë se këtu ka zot shtëpie, se Drenasi ka qenë dhe është dhe mbetet bastion i PDK-së dhe qeverisjes së mirë”, tha ai.

Mbështetje që Lladrovci të udhëheqë edhe për një mandat me Drenasin ka kërkuar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se Drenasi e Drenica janë zemra e PDK-së. Ajo tha se Drenasi me Ramiz Lladrovcin kryetar do të vazhdojë të jetë komunë kampione për qeverisje të mirë.

“Drenica, Drenasi janë zemra e PDK-së, janë ADN politike e PDK-së, pa fitore në Drenas, pa fitore në Drenicë PDK nuk ekziston. Ju jeni zemra jonë, jeni gjaku jonë dhe ju do t’ia ktheni shkëlqimin PDK-së ditën e diel me fitoren masive për Ramiz Lladrovcin. Ju keni qenë me PDK-në, keni qenë me Hashim Thaçin, keni qenë me Kadri Veselin në ditët tona më të vështira, ju jeni bashkë me PDK-në, me Ramizin, me ne sot e përgjithmonë. Ne do t’ju kthejmë besimin me punë, do t’ju ofrojmë mundësi për një jetë më të mirë. Ju e keni kandidatin të cilin ua ka lakmi krejt Kosova”, tha Çitaku.

Mbështetje për Ramiz Lladrovcin kanë kërkuar edhe shefi i GP të PDK-së Abelard Tahiri, deputetët Enver Hoxhaj, Blerta Deliu-Kodra, Ardian Kastrati dhe figura të shumta të PDK-së.