Lajme

​Lajçak takon ministrin e jashtëm serb, diskutojnë për dialogun

06/03/2021 18:41
nga:M K

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar sot në Beograd me ministrin e Jashtëm serb, Nikola Selakoviq.

Në një publikim në Twitter, Lajçak ka bërë të ditur se në këtë takim është biseduar për çështjen e dialogut.

“Vizitën në Beograd e nisa me ministrin e Jashtëm Selakoviq, të cilin e takova për herë të parë sot. Patëm një diskutim të dobishëm dhe konstruktiv për dialogun dhe rëndësinë e tij për të ardhmen evropiane të Serbisë”, ka shkruar Lajçak.

Në takim ishe i pranishëm edhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, i cili për herë të parë ka shoqëruar Lajçakun në një vizitë në Ballkanin Perëndimor.

Pas pak, Lajçak dhe Palmer pritet të takohen edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin do të diskutojnë për takimin e ardhshëm që pritet të mbahet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.

LEXO EDHE:

Kurti jo në të njëjtën vijë me BE-në, insiston sërish në dialog të ri dhe jo vazhdim të tij