Lajme

​Kuvendi mblidhet sërish për të diskutuar pikat e mbetura

11/23/2021 07:43
nga:M K

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë edhe sot punimet e seancës plenare të nisur të enjten e javës së kaluar për të shqyrtuar raportet vjetore të institucioneve të pavarura dhe me pikat e tjera të mbetura të rendit të ditës.

Gjatë pasdites të së hënës, Kuvendi miratoi rekomandimet e komisioneve funksionale përkatëse, për raportet vjetore të institucioneve të pavarura si: Propozim-vendimin për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, shqyrtimin e kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 20211, Raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2020, si dhe Raportin e Auditimit të Buxhetit të Kosovës, për të cilin raportoi auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca.

Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2020, për të cilin foli ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Në fjalën e tij, ministri Aliu tha se çështjet e mjedisit do të jenë prioritet i Ministrisë së Mjedisit dhe se janë ndërmarrë hapa pozitivë, por që gjendja reale lë shumë për të dëshiruar.

Pas diskutimeve, me shumicë votash për raporti i lartcekur u miratua nga Kuvendi.

Po ashtu edhe Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2020, i cili është arsyetuar dhe rekomanduar nga Komisioni Funksional për Buxhet, Punë dhe Transfere, mori përkrahjen e grupeve parlamentare dhe me shumicë votash u miratua.

Kuvendi ndërkaq nuk miratoi raportin të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2020, me arsyetimin se nuk i ka përmbushur obligimet ligjore për miratim.

Ndërsa në mungesë korumi, shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021, Raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2020, si dhe ai për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të pronës për vitin 2020, u hoqën nga rendi i ditës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, paraqiti dhe arsyetoi Raportin Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020. Në adresimin e tij, ministri Murati potencoi të gjeturat e raportit për pasqyrat financiare, si dhe planin për zbatimin e rekomandimeve.

Tutje, për raportim dhe arsyetim të rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vitin 2020, në emër të qeverisë në foltore doli ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci (i autorizuar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla).

Ministri Peci ndër tjera theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka krijuar Grupin Punues për Përmbushjen e Planit të Veprimit dhe zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga zyra Kombëtare e Auditorit dhe gjithashtu ka hartuar Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve nga kjo zyrë. Ai po ashtu tha se është evdientuar rritja e nivelit të kontrollit dhe zbatimit të rekomandimeve. Rekomandimet e këtij raporti u miratuan nga Kuvendi.

Pikat që do të diskutohen në seancën e sotme:

29. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2020,

30. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sha.a. për vitin 2020,

31. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS” Sh.P.K,

32. Emërimi i kryetarit dhe katër (4) anëtarëve të Bordit të Organin Shqyrtues të Prokurimit,

33. Emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës,

34. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave (prej tyre dy (2) nga radhët e komunitetit shqiptar dhe një (1) nga radhët e komuniteteve jo shumicë),

35. Përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

36. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.