Bashkëpunimi në arsim dhe aftësim profesional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë ishin tema e takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Ministrin e Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, Mahmut Özer.
Në takimin e përbashkët me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, u bisedua për planet e përbashkëta që pritet të konkretizohen me një marrëveshje të bashkëpunimit mes dy shteteve me fokus në fushën e teknologjisë së informacionit, zhvillimit profesional të mësimdhënësve, arsimit të lartë, si dhe programet e shkëmbimit të studentëve e profesorëve.
Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Özer për përkrahjen e dhënë nga shteti turk për Kosovën, e veçanërisht mbështetjen në projekte të arsimit, si burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës.
Ai vuri theksin te objektivi i Qeverisë për të bërë ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe për synimin për të kthyer vëmendjen e punës kah dija dhe arsimi, kah hulumtimi e inovacioni.
“Kryeministri potencoi zotimin e Qeverisë për mundësi të barabarta dhe gjithëpërfshirje në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, drejt zvogëlimit të hendekut në arritjet arsimore të komuniteteve dhe personave me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftimin e bërë për media.
Tutje, në njoftim thuhet se ministri Özer theksoi gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për arsimin në Kosovë në çfarëdo forme të nevojshme.
“Duke shprehur kënaqësinë që vizita e parë e tij si ministër jashtë vendit po realizohet në Kosovë, ai u shpreh i lumtur me stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë, si dhe bashkëjetesën mes komuniteteve, që përfshinë edhe qytetarët turq”.