Lajme

​Kurti: Astriti ishte i drejtë dhe ne duhet dhe do të sjellim drejtësi

11/05/2021 17:24
nga:M K

Familjarët e Astritit Deharit po bëjnë thirrje për zbardhjen e vdekjes së tij në burgun e Prizrenit.

Ata thonë se vrasja e tij në rrethana çnjerëzore, shton tmerrin për humbjen e aktivistit, mjekut e humanistit. Në pesë vjetorin e vdekjes së tij, kryeministri Albin Kurti u zotua se do të sjellin drejtësi për Astritin.

Në akademinë përkujtimore për jetën e aktivistit së Lëvizjes Vetëvendosje, vajza e tezës së Astritit, Havë Shabani, ka bërë thirrje që së më parë të zbardhet rasti i Astritit.

Shabani: I bëjmë thirrje prokurorisë që të zbardh këtë rast

“Astritin e kam njohur mirë, si karakter ka qenë i veçantë. Ai te secili njeri gjithmonë e gjente të mirën duke lënë anash të metat dhe dobësitë. Ai vazhdimisht përpiqej që të përmirësonte të gjithë ato dobësi që i gjente tek njerëzit. Gjatë studimeve përpos mësimeve ai është marrë me aktivitete kulturore dhe politike. Ai asnjëherë nuk është penduar që është kthyer nga Zvicra, përkundrazi në vazhdimësi ka këshilluar moshatarët e tij që të mos largohen nga vendit të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në Kosovë. Edhe pse kanë kaluar pesë vjet, jo pesë ditë, jo pesë muaj, por pesë vjet prej vrasjes së Astritit në burgun e Prizrenit, prokuroria ende nuk e ka dhënë fjalën përfundimtare për vdekjen e tij. Dhe nga kjo akademi përkujtimore i bëjmë thirrje prokurorisë që sa më parë të zbardh të këtë rast”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti u shpreh se urtësia e nënës Xhemile dhe babës Avni, trondit të të gjithë.

Kurti: E dashur nëna Xhemile, forca juaj trondit shumë prej nesh

“E dashur nëna Xhemile, forca juaj trondit shumë prej nesh. Një pjesë e pranisë së patretshme të Astritit është kjo forcë. Më kujtohet shprehja e një aktivisti në moshë që më tha para disa vitesh ‘me këtë nënë Astriti nuk mund të mos ishte i shkëlqyer’. Forca juaj qëndron në fjalët që thoni, në mënyrën se si flisni dhe në sytë që ju ndriçojnë… I dashur axha Avni, urtësia juaj na trondit shume prej nesh. Një urtësi që i ngjan një vështrimi histori, histori nga ajo që përmban lehtësisht dekadat”, ka thënë Kurti.

Në këtë akademi përkujtimore, Kurti shtoi se vajza e Astritit, Asra do të rritet duke i folur të gjithë për figurën e babait të saj.

Më tej, ai u zotua se do të zbardhin të vërtetën për Deharin.

Kurti: Ai ishte i drejtë dhe ne duhet dhe do të sjellim drejtësi

“Ne duhet të ja kthejmë si qartësinë shoqërore ashtu edhe atë kombëtare, jo atij por vetvetes. Ai ishte student dhe ne duhet ta rregullojmë cilësinë e arsimit, ai ishte mjek dhe duhet të sigurojmë shëndetin publik, ai ishte i ri, ne duhet të hapim perspektiven për rininë. Ai ishte organizator i lëvizjes, dhe ne duhet të ndërtojmë shtet që lëviz. Ai ishte qytetar aktiv dhe ne duhet të sjellim barazi në republikë. Ai ishte shqiptar dhe ne kemi për detyrë angazhimin kombëtar. Ai ishte i drejtë dhe ne duhet dhe do të sjellim drejtësi, ka përfunduar ai.

Për Astritin, i cili vdiq pesë vjet më parë në qendrën e paraburgimit në Prizren, bashkëpunëtori i tij, Arben Vitia tha se nuk punonte për rrogë, por për ideal.

Vitia: Sot më mungon një mik por edhe një bashkëpunëtor i afërt

“Sot më mungon një mik por edhe një bashkëpunëtor i afërt. Më mungon dija dhe qetësia e tij, puna e pakusht dhe dashuria e tij për Kosovën, shkencën dhe për aktivizimin politik. Sot më mungon modestia dhe përkushtimi i tij, nganjëherë edhe i padukshëm. Astritin shumë nga ju e keni njohur vet dhe e dini qe fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar se çfarë djali ishte. Një njeri i mirë, i edukuar me një fjali me sakrifica për shoqërinë dhe për kombin. Unë sot dua të dëshiroj të flas për humanizmin e Astritit. Astriti ishte student i shkëlqyer i Mjekësisë, shumë pranë diplomimit dhe ai vazhdimisht merrte pjesë në mbledhjet e komitetit të lëvizjes për shëndetësi, ku dëgjonte më vëmendje dhe mësonte, por edhe u jepte profesionistëve. Dallohej serioziteti i tij profesional, por ai kishte diçka më shumë. Në sytë e tij çdo herë shkëlqente dëshira për të ndihmuar sa më shumë individë jo me politika shtetërore, por edhe individualisht me qasjen e tij prej një vullnetari të vërtetë”, ka thënë ai.

Kolegu i studimeve, Ardian Salihu ka kujtuar Astritin duke thënë se ai u vra në rrethana çnjerëzore. Ai tha se edhe pas kësaj periudhe, familjarët e shoqëria mbajnë shpresa që një ditë do të zbardhet mënyra dhe forma se si vdiq Dehari.

Salihu: Tmerri u shtua kur kuptuam që Astriti vdiq në rrethana çnjerëzore

“Astriti kishte një vizion më të qartë dhe dallohej prej shokëve e shoqeve të tij. Ai vazhdimisht dërgonte mesazhe të qarta duke na thënë se jo të gjithë njerëzit janë të mirë. Prandaj, gjithmonë të jemi të kujdesshëm. Në këtë botë pothuajse secili përjeton nga një tmerr, por tmerri për familjen Dehari, shoqet dhe shokët, përfshirë edhe mua, ndodhi pasditen e 5 nëntorit të vitit 2016. Kur morëm lajmin për vdekjen e Astritit ishte moment shokues. Kur kuptuam edhe rrethanat e vdekjes së tij ishte tmerruese. E aq më shumë u shtua tmerri kur kuptuam se Astriti vdiq në rrethana çnjerëzore”, ka thënë ai.

Astrit Dehari ishte arrestuar bashkë me pesë aktivistë të Vetëvendosjes, si i dyshuar për sulm terrorist në Kuvendin e Kosovës. Ai vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së tij më 18 nëntor 2016, doli në përfundim se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit. Më pas, Qeveria e Kosovës kishte ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë në Zvicër. Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria kishte thënë se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.