Lajme

​Gërvalla mori pjesë në shënimin e 30 vjetorit të aksionit të parë të Gueriles së Llapit

08/11/2021 16:38
nga:M K

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në shënimin e 30-vjetorit të aksionit të parë të armatosur mbi forcat policore serbe të organizuar nga Guerilja e Llapit, më 9 gusht 1991 te “Qershitë e Llapashticës”, në Podujevë.

Me këtë rast është zbuluar një pllakë përkujtimore në shtëpinë nga e cila është realizuar aksioni.

Gërvalla shprehu respektin për të gjithë ata që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me mjete politike dhe ushtarake e që në fund kulmoi me luftën e hapur të UÇK-së dhe intervenimin e forcave të NATO-s dhe aleatëve që sollën lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

Ajo theksoi obligimin e Qeverisë dhe institucioneve të shtetit që Kosova të ndërtohet ashtu siç̧ e deshën heronjtë, duke e bërë shtet të zhvilluar e demokratik ku funksionon rendi dhe ligji për të gjithë njësoj.

Ndërsa kryetari i organizatës Guerilja e Llapit, Hasan Zeneli, ministres Gërvalla iu dha mirënjohje për kontributin e dhënë ndaj çështjes kombëtare.

Në këtë tubim morën pjesë Halit Konushevci babai i heroit Ilir Konushevci, Hetem Ajeti pjesëtar në aksionin e parë gueril, dhe shumë personalitete tjera.